‘Fëmijët lindin njësoj, por disa vishen me rroba të shtrenjta’, Bushati: Investimi për edukimin dhe lumturinë e tyre është detyrimi ynë

Publikuar tek: aktualitet, më 13:08 01-06-2020 ‘Fëmijët lindin njësoj, por disa vishen me rroba të shtrenjta’, Bushati: Investimi për edukimin dhe lumturinë e tyre është detyrimi ynë

Në kuadër të shumë urimeve për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, nuk kanë munguar as fjalët e ish-ministri të Jashtëm Ditmir Bushati.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, ai deklaron se të gjithë fëmijët lindin njësoj, të zhveshur, por shpejt disa prej tyre vishen me rroba të shtrenjta dhe të tjerë me rroba të arrnuara.

Bushati shprehet se investimi për edukimin dhe lumturinë e fëmijëve është detyrimi ynë, si pjesë e përpjekjes së përditshme për një të ardhme më të sigurtë.

‘Fëmijët janë brezi më i rëndësishëm dhe e ardhmja e një kombi. Ata do të përballen me sfida morale, ekologjike, politike, ekonomike, shoqërore dhe ndryshime demografike e teknologjike të paimagjinueshme për brezin tonë. Ndaj, ne nuk mund të dorëzohemi para ligjësive të pabarazisë, duke shpërdoruar djersën e brezave të shkuar dhe rrënuar trashëgiminë e brezave të ardhshëm’, shkruan ndër të tjera Bushati.

Postimi i plotë:

Fëmijët ndriçojnë botën tonë. Ata kanë potencialin të na japin buzëqeshje e të na bëjnë më të lumtur edhe në kohë të vështira. Fëmijët janë si rrezja e diellit. Optimizmi i tyre na jep shpresë për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë.

Jeta ka ligjësitë e veta, përfshirë edhe pabarazinë. Të gjithë fëmijët lindin njësoj, të zhveshur. Por shpejt disa prej tyre vishen me rroba të shtrenjta. Shumica me rroba të zakonshme. Të tjerë me rroba të arrnuara.

Disa mërziten edhe kur familja i plotëson çdo dëshirë, ndërsa të tjerët ëndërrojnë për ditën kur mund të jenë në gjendje të shkojnë në shkollë. Jo të gjithë kanë mundësi të përdorin teknologjinë edhe pse kur i jepet kjo mundësi ata janë më të zhdërvjelltë se brezat e tjerë. Pandemia na tregoi se mësimi mund të zhvillohet në distancë, ndonëse aksesi në teknologji nuk ishte një e mirë për të gjithë. Nga ana tjetër, roli i mësuesit dhe kontakti njerëzor mbeten të pazëvendësueshëm për fëmijët. Pasi të jesh në shkollë nuk është njësoj si të mësosh.

Fëmijët janë brezi më i rëndësishëm dhe e ardhmja e një kombi. Ata do të përballen me sfida morale, ekologjike, politike, ekonomike, shoqërore dhe ndryshime demografike e teknologjike të paimagjinueshme për brezin tonë. Ndaj, ne nuk mund të dorëzohemi para ligjësive të pabarazisë, duke shpërdoruar djersën e brezave të shkuar dhe rrënuar trashëgiminë e brezave të ardhshëm.

Investimi për edukimin dhe lumturinë e fëmijëve është detyrimi ynë, si pjesë e përpjekjes së përditshme për një të ardhme më të sigurtë. Fëmijëria e shekullit të 21 ndryshon nga fëmijëria jonë. Për pasojë, ne duhet t’i përgjigjemi këtij zhvillimi duke ofruar një qasje të re për kohën që jetojmë.

Gëzuar 1 Qershorin! 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0098521709442139
array(1) { ["section"]=> string(137) "femijet-lindin-njesoj-por-disa-vishen-me-rroba-te-shtrenjta-bushati-investimi-per-edukimin-dhe-lumturine-e-tyre-eshte-detyrimi-yne-208616" }