Një i ri ka humbur jetën, si pasojë e një aksidenti automobilistik në Fier.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 04:25, në fshatin Libofshë në Fier, ku 35 vjeçari E. Dhamo banues në fshatin Agim humbi jetën.
Sipas policisë ai ishte duke drejtuar mjetin me targë BR 3304 B, ndërsa ka dalë nga rruga dhe ka goditur murin rrethues të banesës së shtetasit A.Dh.
Nga përplasja mori plagë të rënda në trup. Drejtuesi i mjetit i cili u transportua me ambulancë në Spitalin e Fierit sapo ka mbërritur në spital ka ndërruar jetë.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje.