Gjatë prezantimit të reformës së pensionit në qytetin e Fierit, kryeministri Rama tha se kjo është një reformë historike edhe se për më shumë se 20 vjet, pensionistët janë mashtruar. Rama tha se nuk është e vërtetë që me këtë reform janë ulur pensionet, por rezulton e kundërta. Kryeministri Rama tha se do të jetë e vështirë të zëvendësohet ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj, pas dorëheqjes për kandidaturën për Bashkinë e Tiranës.
Sipas Ramës, sot ka 92 mijë kontribues më shumë dhe për herë të parë ka një skemë që nuk është më deficitare, por një skemë pozitive e cila bën të mundur që qeveria të mbajë njerëzit me pensione pa marrë të ardhura nga projekte të tjera si rrugët dhe shkollat.
“Me kurajo e hoqëm tavanin e pensionit dhe krijuam një hapësire që gjithësekush të vendosë vetë për pensionin, duke kontribuar më shumë për skemën e pensioneve, por edhe për ata që kanë derdhur mundin e tyre për 30-40 vjet ti përgjigjemi me një pension që deri dje ishte i paimagjinueshëm”, tha Rama gjatë fjalës së tij.
Ministri në ikje i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj tha se rreth 40 mijë persona që dalin në pension këtë vit do ta kenë pensionin më të lartë. Veliaj tha se qeveria e kaluar për 8 vjet nuk nënshkroi anjë marrëveshje për pensionet e emigrantëve ndërkohë që vetëm në dy vjet, qeveria nënshkroi 8 marrëveshje, më e fundit ajo me Kanadanë nga e cila përfitojnë 20 mijë shqiptarë.