Fieri nuk po gjen dot paqe. Ngjarjet kriminale kanë përfshirë këtë qytet, që në vetëm pak ditë është kthyer tejet problematik.
Ditën e sotme, në orën 3:00 të mëngjesit, policia u përplas me armë zjarri me katër grabitës të cilët tentuan të vidhnin banesën e Minella Muçës në lagjen “29 nëntori” e për pasojë mbeti i vdekur në vend një nga grabitësit e u plagos një tjetër, ende të paindentifikuar, shkruan newsbomb.al..
Dy grabitësit e tjerë ia mbathën duke përfituar nga errësira ndërsa policia e shtetit është ngritur e gjitha në këmbë.
(Grabitja e sotme- Foto nga vendi i ngjarjes)
Por vetëm pak ditë më parë, më datë 2 mars 2018, Fieri u trondit sërish nga një grabitje e armatosur në një pikë këmbimi valutor ku për pasojë mbeti i vdekur Agur Vrenozi, një kalimtar i pafaj i cili hyri brenda për të shpëtuar pronarin e exchange (edhe ky i plagosur) dhe u përlesh me grabitësit.
(Foto nga grabitja e disa ditëve më parë ku mbeti i vdekur Agur Vrenozi)
Sërish përplasje me armë mes policisë e autorëve
Jo më larg se dy ditë më parë, më datë 21 mars 2018 sërish pati një përplasje mes policisë e disa personave. Në fshatin Baltëz të Fierit, dy persona hapën zjarr në drejtim të efektivëve të policisë.
Sipas informacioneve banorët e zonës njoftuan policinë se në afërsi të varrezave të fshatit kishin dëgjuar të shtëna armësh. Efektivët e policisë janë nisur drejt vendndodhjes dhe kanë zbuluar dy persona të cilët po bënin qitje me armë.
Pasi dy fierakët me iniciale H.M dhe K.M, kanë vënë re praninë e forcave policore, kanë qëlluar edhe në drejtim të tyre duke u larguar nga vendngjarja.
Policia është vënë në ndjekje të autorëve për më shumë se 48 orësh rresht por pa rezultat.
Vjedhje të tjera në seri referuar njoftimeve të policisë/ 12 mars 2018:
Fier-Lushnje-Divjakë.
Kapen në flagrancë duke vjedhur gjatë natës, policia arreston në flagrancë autorët.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, ndaluan shtetasit:
-Ervin Besholli, 22 vjeç, banues në Fier.
-Aldo Hoxhaj, 22 vjeç, banues në Patos.
Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi në vendin e quajtur “Vija e ngjalës”, janë kapur duke transportuar me mjetin tip “Lancia" 9 zgara metalike për puseta rruge.
Nga kryerja e veprimeve hetimore rezultoi se këto zgara janë vjedhur në rrugë në lagjen “Kastriot” Fier.
Lushnje
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje arrestuan shtetasin:
-Qemal Alla, 40 vjeç, banues në Ardenicë, Lushnje.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë natës, është kapur në flagrancë duke vjedhur disa vegla pune në makazinën e shtetasit A.A, banues në Ardenicë, Lushnje.
Divjakë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, arrestuan shtetasin:
-I.M, 17 vjeç, banues në Gramsh.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi është kapur në flagrancë duke vjedhur biçikletën e shtetasit A.C, banues në Divjakë.
Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasi I.M është autori i dyshuar i vjedhjes së motoçikletës tip "Honda" në pronësi të shtetasit P.A, banues në Divjakë, ngjarje e ndodhur në datë 15.03.2018.