Filip Çakuli padit për 1 lekë Sali Berishën në gjykatë. Drejtori i emisionit ‘’Fiks Fare’’ ka paditur për shpifje dy ditë më parë ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi i është cënuar dinjiteti dhe morali nga Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Objekti i çështjes ngritur nga Çakuli, sipas Gjykatës së Tiranës është ‘Detyrimi i të paditurit Sali Berisha t’i shpërblejë paditësit Filip Çakuli dëmin jopasuror në shumën 1 lekë’’ . Gjykatës i çështjes do të jetë Kastriot Gramshi. Padia për shkaktim dëmi bazohet në nenet 608-654 të Kodit Civil.
Berisha, sipas Çakulit, përmendi në seancën parlamentare se emisioni ‘’Fiks Fare’’ ka nisur një investigim për naftën dhe e mbylli, duke e cilësuar Çakulin ‘’gjobaxhi’’. Për këtë Çakuli i kërkon Berishës. vetëm 1 lek dëmshpërblim.
Kodi Civil parashikon në nenin 608 se “Personi që, në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin ose në pasurinë e tij, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar. Personi që ka shkaktuar dëmin nuk përgjigjet kur provon se nuk ka faj. Dëmi quhet i paligjshëm kur është rrjedhim i shkeljes ose i cenimit të interesave dhe i të drejtave të tjetrit, që mbrohen nga rendi juridik ose nga zakonet e mira.”.
Njëkohësisht edhe neni 617 përcakton:"Kur vërtetohet se një person ka përgjegjësi ndaj një personi tjetër, për shkak se ka publikuar të dhëna të pasakta, jo të plota ose mashtruese, gjykata me kërkesën e personit të dëmtuar, detyron personin tjetër që të publikojë një përgënjeshtrim, në mënyrën që ajo do ta quante të përshtatshme. Gjykata mund të urdhërojë publikimin e përgënjeshtrimit edhe kur vërtetohet se publikimi i të dhënave nuk është i paligjshëm dhe i kryer me faj, se autori i tyre nuk kishte dijeni për karakterin e pasaktë ose të paplotë të këtyre të dhënave."
Regjistrimi i padisë civile nga Filip Çakuli në Gjykatën e Tiranës.