Fillimi i fundit të dyqaneve të vogla

Publikuar tek: ekonomi, më 12:42 08-10-2016 Fillimi i fundit të dyqaneve të vogla

Dyqanet e vogla të tregtisë, që ndodhen në një distancë me një perimetër prej 10 minutash larg nga një supermarket i hapur rishtazi vuajnë një rënie të ndjeshme të shitjeve, sipas një studimi të pak viteve më parë. Dhe teksa rrjeti i organizuar i tregtisë me pakicë dhe qendrave tregtare ka marrë përhapje të gjerë në vend në dekadën e fundit, një zhvillim normal ky, bizneset e vogla morën goditjen e parë.

Konsumatorët po i largohen çdo ditë e më shumë dyqaneve “të lagjes”. Zhvillimi i qendrave të mëdha dhe supermarketeve ishte një dukuri e pashmangshme. Supermarketet ofrojnë kushte më të mira tregtimi higjieno-sanitare, çmime më të ulëta, më shumë shumëllojshmëri produktesh, duke rritur mundësinë e zgjedhjeve, si dhe më shumë ulje në formën e ofertave të vazhdueshme dhe eventeve promocionale. Një nga pikat e forta të njësive të mëdha tregtuese në vend është produktiviteti i lartë që kanë në raport me njësitë e vogla. Sipas të dhënave të anketës strukturore të INSTAT për vitin 2014, produktiviteti i njësive tregtuese me 1-4 punonjës është 7 herë më i ulët se ato me 10-49 punonjës.

Por, kjo tendencë, në këndvështrimin e konkurrencës te biznesi i vogël tregtar po rezulton gjithnjë e më problematike për shkak të peshës së rëndësishme që kanë njësitë e vogla tregtare në punësim dhe sidomos vetëpunësim. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2014, rezulton se rreth 44% e totalit të të vetëpunësuarve janë të vetëpunësuar në tregti me pakicë. Ndërsa në totalin e të punësuarve në vend, të vetëpunësuarit në tregti zënë rreth 11% të tyre. Sipas Anketës Strukturore të INSTAT, për vitin 2014, tregtia me pakicë ka numrin më të madh të të punësuarve në vend, me rreth 52 mijë, nga të cilët 30 mijë, apo 60% janë të vetëpunësuar, raporti më i lartë i të vetëpunësuarve nga të gjithë sektorët.

Në fakt, e gjithë ekonomia shqiptare është e mbështetur te sipërmarrjet e vogla dhe vetëpunësimi. Hapja e një dyqani në lagje, me qira, apo në pronësi, ka qenë në vite një formë vetëpunësimi për pjesën më të madhe të shqiptarëve, që në mungesë të alternativave të tjera, i kanë dalë për zot vetes.

Sipas të dhënave të INSTAT, 89% e ndërmarrjeve kanë 1-4 të punësuar. Teksa kontributi i tyre në shitjet në ekonomi është i ulët (realizojnë 14% të totalit të shitjeve në vend), roli i tyre është shumë i madh në punësim. Në bizneset e vogla marrin të ardhura gati një e treta e të punësuarve në vend.

Goditja e dytë për bizneset e vogla është tkurrja e konsumit. Të dhënat zyrtare tregojnë se konsumi privat ra me 0.2% në 2015-n për herë të parë që nga viti 2011 dhe ka rikuperuar lehtë në muajt e parë të 2016-s. Shumë biznese të vogla po e gjejnë të vështirë të mbijetojnë, në kushtet kur njerëzit kanë ulur në maksimum shpenzimet ose janë bërë më të zgjuar në blerjet e tyre. Në një ekonomi, ku pak prodhojnë dhe të gjithë duan të shesin, kjo pritej të ndodhte herët a vonë. Shërbimi ushqimor (kryesisht restorante e bar-kafe) janë sektori tjetër që shumë familje kanë gjetur për të mbijetuar, por që dhe ai po vuan krizën e konsumit.

Në një afat më të gjatë, bizneset e vogla pritet të jenë ato që do të goditen më shumë nga domosdoshmëria për të plotësuar standardet e tregtimit, teksa vendi po harmonizon legjislacionin dhe përafron kriteret me vendet e Bashkimit Europian.

Presioni për t’u formalizuar nga ana tjetër po i nxjerr zbuluar shumë prej këtyre bizneseve të vogla, që po shohin sa pak konkurruese kanë qenë në një mjedis shumë konkurruese dhe po kuptojnë që nëse “i tregojnë” të gjitha nuk do të arrijnë të dalin me fitim. Ata po gjenden në dilemën nëse do të arrijnë të mbijetojnë në këtë mjedis të vështirë dhe shumë kanë filluar të mbyllen. Janë shumë biznese të vogla, që në fakt, “avantazhin” e vetëm konkurrues kanë pasur informalitetin në raport me sipërmarrjet e organizuara të pakicës.

Tendenca rënëse ka filluar edhe statistikisht. Që në vitin 2014, të dhënat e Anketës Strukturore të INSTAT treguan se bizneset me 1-4 punonjës në sektorin e tregtisë ranë me 3% në raport me një vit më parë. Ndërsa numri i të punësuarve në këto sipërmarrje të vogla ra me ritme edhe më të larta, duke u tkurrur me gati 5%.

(Monitor)

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.023526906967163
array(1) { ["section"]=> string(43) "fillimi-i-fundit-te-dyqaneve-te-vogla-55505" }