Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka deklaruar se fillimi i punës nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme ka shënuar një datë të rëndësishme në rrugëtimin tonë drejt forcimit të shtetit ligjor.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ministrja Etilda Gjonaj ka shkruar se inkurajon të gjithë kontribuesit mbi përmbushjen e objektivave për zbatimin e reformës në drejtësi.
Postimi i Etilda Gjonit:
Ne këto ditë, teksa shënohet 1 vit kalendarik nga ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duket se ka kaluar më shumë kohë duke pasur parasysh sfidat dhe rezultatet domethënëse gjatë këtij harku kohor për konsolidimin dhe fuqizimin e të gjithë mekanizmave që po çojnë përpara reformën në drejtësi.
Po sot pas një viti, SPAK dhe Gjykata e Posaçme nisën punën duke shënuar një tjetër datë të rëndësishme në rrugëtimin tonë drejt forcimit të shtetit ligjor.
Inkurajoj jo vetëm titullarët dhe anëtarët e institucioneve te reja, por të gjithë ata që punojnë dhe kontribuojnë mbi përmbushjen e objektivave për zbatimin e reformës në drejtësi.
Mirënjohje partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët na kanë mbështetur hap pas hapi në të gjitha fazat implementuese të reformës në drejtësi.
Puna vazhdon, për Drejtësinë që duam dhe Shqipërinë që duam.