'Financimet' që mund të prodhojnë një idhull

Publikuar tek: analiza-komente, më 10:11 19-06-2019 'Financimet' që mund të prodhojnë një idhull

Nga Gravosh Levonja 

Tashmë zaret janë hedhur; prokuroria shqiptare ka thirrur kreun e PD-së Lulzim Basha si të pandehur duke e akuzuar për vepra si pastrim parashë, mashtrim të KQZ-së lidhur me fondet e përdorura në fushatën elektorale të zgjedhjeve të vitit 2017 si dhe për financime nga Rusia.

Mirëpo, nisur nga ato ç’ka janë bërë publike duke filluar menjëherë pas publikimit të disa pagesave nga PD, PS e LSI në llogaritë bankare të disa kompanive lobuese në SHBA, mendoj se prokuroria shqiptare do ta ketë të vështirë ta çojë Bashën në “gijotinë”.

E para, nëse flitet për akuzën e “pastrimit të parave” duke qenë se paratë kënë hyrë në SHBA, me to merren institucionet e specializuara amerikane, të cilat në kësi rastesh “të kalojnë në vrimë të gjilpërës” siç është shprehur dikur dhe vetë kryeministri, Rama kur filluan diskutimet e para lidhur me origjinën e parave të paguara nga PD për të lobuar në SHBA. Dhe, normalisht gjithçka do të fillonte nga Nick Muzin dhe kompania e tij, “Stonington Strategies” të cilët do të filtroheshin nga strukturat e specializuara të shtetit amerikan.

Sa për Bashën, ky do të ishte “vrima e fundit e kavallit” që mund t’i kërkohej llogari për burimet e parave, gjithnjë në rast se do të bëhej fjale për shuma eksesive, gjë që është nën juridiksionin e drejtësisë shqiptare. Konkretisht në periudhën mars prill të vitit 2017 PD dhe PS kontraktojnë kompani lobingu në SHBA në prag të fillimit të fuhatës elektorale për zgjedhjet e atij viti.

PD në mars prill të këtij viti realizoi dy kontrata, njërën më kompaninë “Barnes & Thornburg” në vlerën e një shume fikse prej 150 mijë dollarëve firmosur nga Robert Grand, manager i firmës dhe Lulzim Basha më 14 prill 2017 dhe një kontratë tjetër me “Muzin Capitol Partners LLC” (partner me “Stonington Strategies”}, firmosur më 31 mars 2017 nga dhe Lulzim Basha dhe Nick Muzin, CEO I kompanisë në fjalë, së cilës PD duhej t’i paguante tre këste nga 25 mijë, përkatësisht në muajt mars 2017, prill 2017 dhe maj 2017.

Pra, të dyja kompanive PD sipas kontratave të lidhura në muajt mars prill të këtij viti një total prej 225 mijë. Sipas kontratës Kompania lobuese do të përcaktojë linjën dhe implementimin e fushatës së PD-së, do të promovojë vizionin dhe synimet e politikës së PD tek politikëbërësit amerikanë dhe qarqet e biznesit. Gjithsesi, pavarësisht nga kontratat rëndësi kanë pagesat, pasi palët edhe mund të mos u përmbahen kontratave të nënshkruara e rrjedhimisht ato prishen; p.sh kompania lobuese nuk realizon ndonjë nga angazhimet ose në rastin tjetër klienti nuk kryen pagesat sipas kontratës.

Të gjitha këto u deklaruan nga Nick Muzin pranë Departamentit të Drejtësisë nëpërmjet Foreign Agents Registration Act në qershor të vitit 2017. Mirëpo, për PD gjërat ndërlikohen që nga momenti kur në skenë del një firmë e tretë; “Biniatta Trade LP”, e cila në Exibit-B shtesë të datës 14 nëntor 2017 të paraqitur nga “Muzin Capitol Partners LLC, figuron se ka kompensuar “Muzin Capitol Partners LLP, për të gjithë aktivitetet e kryera për llogari të PD-së.

Në të njejtën kohë nga Exibit-B shtesë në fjalë thuhet se “Biniatta Trade LP” deri në datën 30 shtator ka bërë vetëm një pagesë prej 150 mijë dollarësh në adresë të “Muzin Capitol Partners LLC. Gjithsesi, kur vihet tek kontrata flitet vetëm për një agreement midis “Biniatta Trade LP” dhe “Muzin Capitol Partners LLC” e “Stonington Strategies” ku këto dy të fundit angazhohen për gjëra që në fakt nuk kanë të bëjnë fare me synimet politike të PD-së si duke promovuar rolin e biznesit ahqiptaro amerikan në eknominë e SHBA, promovimin e muajit të historisë shqiptare në SHBA, të nxjerrin në pah kontributin e diasporës shqiptare në shoqërinë perëndimore etj.

Në fakt synime të tillë logjikisht i ka klasa politike që është në pushtet në Shqipëri dhe jo opozita. Për këdo që ka një minimum sensi përsa i përket hetimit do të mjaftonte ky fakt për të dyshuar lidhur me vërtetësinë e kontratës “Muzin Capitol Partners”-Biniatta Trade LP” për të “financuar” aktivitetet e PD. Gjithashtu, “Muzin Capitol”, megjithëse do të angazhohet për suksesin e projektit, nuk garanton një rezultat të sukseshëm”. Përsa i përket pagesave kontrata parashikonte që “Biniatta Trade LP’ do t’i paguante “Stonington” tre këste nga 150 mijë dollarë si dhe një pagesë në vlerën e 500 mijë dollarëve për aktivitete të tillë në kuadër të këtij projekti.

Por një njeri me dy pare mend në kokë nuk ka si të mos pyesë a i a vlen barra qiranë që PD të paguajë gati një milion dollarë për aktivitete që nuk I shërbejnë kësaj ndërkohë që për takime me senatorë e zyrtarë të administratës amerikane mjaftonin 25 a 50 mijë dollarë. A nuk do të kishte qenë më mirë që ato para PD t’I kishte hedhur ne tregun e votëblerjes në Shqipëri? Si do ta argumentojnë prokurorucët akuzën ndaj Bashës e PD-së për financime të paligjshme apo “financime ruse” kur në këtë kontratë midis “Muzin” dhe “Biniatta” nuk gjendet asnjë firmë nga ana e ndonjë përfaqsuesi të PD-së. Gjithashtu, data e nënshkrimit të kësaj kontrate është 20 mars 2017, pra rreth dy javë para se Lulzim Basha të firmoste kontratën me “Muzin Partners LLC” gjë që të çon tek pyetja: për deri sa “Biniatta Trade LP” është angazhuar të paguajë për lobingun në favor të PD, athere përse ishte e nevojshme që Basha të hidhte firmë në një kontratë tjetër më të njejtin partner i cili për të njejtën gjë, po paguhej nga dikush tjetër, madje me një shumë rreth tetë herë më e madhe nga ajo që parashikohej në kontratën e nënshkruar nga Basha në fund të marsit?

Për drejtësinë shqiptare do të paraqiste interes nëse do të dilte në dritë ndonjë kontratë a marrëveshje ku si palë të ishin PD dhe “Biniatta Trade LP” prej ku mund të mësohej se për ç’arsye kjo merrte përsipër të paguante një kompani lobuese në SHBA për llogari të PD-së si dhe lidhjet e tjera që mund të ekzistojnë midis saj dhe PD. Mirëpo, në Exibit-B lidhur me “Biniatta Trade LP” ekziston vetëm firma e Nick Muzin, por nuk ka asnjë firmë të ndonjë përfaqsuesi të kësaj kompanie në adresën e së cilës figurojnë mbi 700 kompani dhe që telefonin e saj nuk e ngre askush, në kohën që për ndonjë firmë në emër të PD-së as mund të bëhet fjalë. Exibit-B për “Biniatta Trade LP” është paraqitur pranë Departamentit të Drejtësisë vetëm një javë pas marrjes në pyetje të ish-manager-it të fushatës së Predsidentit Trump, Paul Manafort nga Robert Mueller, që hetoi dhe aktivitetin e tij lobues në favor të vendeve të Lindjes.

Ashtu si Nick Muzin të gjitha kompanitë lobuese nxituan të paraqesin shtesa për aktivitetin e tyre. Kjo të bën të mendosh se “Biniatta Trade LP” mund të jetë “futur në valle” nga Muzin për të shmangur andrallat e ngjashme me ato të Paul Manafort. Nuk di nëse do të jetë në gjendje prokuroria shqiptare të sigurojë ndonjë marrëveshje a kontratë midis PD dhe “Biniatta Trade LP” ku të hidhet dritë mbi misterin e financimeve të kësaj për PD si dhe ajo ç’ka është më e rëndësishmja, në të, të ndodhet firma e Bashës ose e ndonjë përfaqsuesi tjetër të PD.

Po duke parë se ç’përfaqson “Biniatta Trade LP” si dhe faktin që ajo pretendon se ka pezulluar aktivitetin e saj për shkak të atyre ç’ka janë publikuar kundër saj gjë për të cilën ptretendon ta ndjekë në rrugë gjyqësore, ma do mendja se organi shqiptar i akuzës do ta ketë tejet të vështirë në mos të pamundur të sigurojë një provë të tillë. Dhe në mungesë të një dokumenti të tillë, thirrja në prokurori e kreut të PD-së, për të vazhduar më tej me formulimin e akuzës për pastrim parashë a financim të paligjshëm, bazuar në ato që qarkullojnë në media të ndryshme e deklarata të Taulantit me shokë, gjykimi e dënimi i tij, do të ishte favori më i madh që mund t’i bëhej atij dhe partisë që ai drejton. Ai do të kthehej në një simbol për PD në një idhull për bazën e partisë në këtë periudhë duke u afirmuar dhe si leader i padiskutueshëm.

Le të kujtojmë Fatos Nanon i cili po të mos ishte arrestuar nga pushteti i Berishhës në pak kohë do të ishte spostuar nga kreu i PS-së për karakterin e tij liberal dhe sjelljet ekstravagante që konsideroheshin “shfaqje të huaja” nga ata që vinin prej PPSH-së, të edukuar me mësimet e Hoxhës dhe klasikëve të marksizmit. Nga ana tjetër, do të kompromentohej dhe reforma në drejtësi duke prodhuar një drejtësi në shrbim të pushtetit.

Sa për rolin e Rusisë nëpërmjet oligarkëve të saj në financimet për PD-në janë sa qesharake, aq të palogjikshme, sa trashanike aq dhe katundareske, që në fund të fundit, tregojnë se ata që hedhin në treg apo ata që i marrin seriozisht duket se nuk janë çliruar nga psikologjia e rrezikut nga “armiku i jashtëm” që në këtë rast është Rusia. Po për Rusinë o budallenj provincialë do të ishte shumë më e lehtë t’i hidhte ato para në rrumpallhanen e Shqipërisë duke realizuar objektivat e saj me fare pak para se të lodhet duke financuar PD-në deri në USA ku rreziku për të rënë në rrjetat e FBI është qindra herë më i madh.

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0084159374237061
array(1) { ["section"]=> string(49) "financimet-qe-mund-te-prodhojne-nje-idhull-168820" }