Financimi i Partive Politike dhe Blerja e Pushtetit

Publikuar tek: analiza-komente, më 13:23 03-11-2016 Financimi i Partive Politike dhe Blerja e Pushtetit

 

*Nga Sorina Koti

Paraja në politikë është bërë gjithnjë e më tepër një element me ndikim në rritje, që po shkon drejt një fuqie përcaktuese, ndaj kontrolli dhe transparenca e përdorimit të parasë në politikë është jetike për demokracinë. Prania e parasë, ose më saktë, ndikimi i saj në rezultatet e zgjedhjeve janë një fenomen, që kërcënojnë sistemin politik të vendeve në zhvillim, siç jemi edhe ne. Partitë janë qendra e sistemit të sotëm politik. Tek partitë, qytetarët shohin të organizuara dhe të artikuluara vlerat tek të cilat besojnë, projektet tek të cilat shpresojnë, por njëherësh edhe instrumentat, që mundësojnë realizimin e objektivave të tyre kolektive apo individuale. Të tilla janë edhe partitë në Shqipëri. Shpesh janë inerci e kohëve të shkuara. Ndodh që janë projekte ambicioze individësh apo grupesh, që synojnë të kenë një përfaqësim më efektiv të interesave. Për fat të keq, ende në Shqipëri partitë mbeten isntrumentat e dorës së parë dhe ndonjëherë edhe të vetëm për sa i përket artikulimit të mendimit, marrjes së përgjegjësive publike, nxitjes së axhendave të caktuara, si dhe ofrimit te oportuniteteve për realizime individuale, apo kolektive. Mbështetja, që ato sigurojnë nga vota apo financimi, i jep partive pushtetin që ato të ndikojnë në institucionet e vendit dhe në vendimmarje.

Në këtë pikë lind një dilemë e madhe etike e shoqërisë dhe e vet sistemit. Si mund të jetë e barabartë pesha e mbështetjes së individëve që kanë vetëm fjalën dhe votën dhe atyre që kanë edhe paranë dhe e përdorin atë në politikë? Dilemat janë të natyrës etike, të barazisë dhe legjitimitetit për të mbrojtur interesat. Të drejtë të ndikojnë politikën kanë si individët me votë, ashtu edhe organizatat, që pretendojnë se perfaqësojnë kategori të ndryshme si sindikatat e të tjera. Por, të drejtë kanë edhe bizneset që prodhojnë punë dhe kapital të ndikojnë në zgjedhje. Dilemat shtohen edhe më shumë në një shoqëri si e jona, e ushqyer me mendësi puriste për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të sistemit politik. Debati rreth këtyre dilemave shkon nga mohimi fare i mundësisë së financimit privat deri tek tolerimi i pakufizuar dhe i parregulluar i financimit të politikës.

Shqetësimi kryesor ka qenë dhe mbetet lidhja e financimeve të partive politike dhe influencat e tyre në vendimet politike, çfarë shpesh rezulton të jetë një praktikë korruptive. Tek ne dhe vendet e rajonit, veç çështjes së korrupsionit, financimi i politikës është i rrezikuar edhe nga financime që vijnë nga burime të errta dhe nga krimi.

Duke qenë se partitë politike janë element kyç në demokracitë pluraliste, humbja graduale e pavarësisë së tyre është një situatë serioze dhe shqetësuese. Rënia e autoritetit të partive politike si rrjedhojë e lidhjes së tyre me interesa biznesi, faktimi i shumë lidhjeve dhe aferave korruptive e bën nevojë urgjente ndërhyrjen për të rikthyer besimin e qytetarëve tek sistemi politik. Më e rëndë bëhet kjo kur provohen shembuj dhe perceptohet gjerësisht në publik prania e parasë së pisët, që vjen nga krimi i organizuar në financimin e politikës. Ndaj adoptimi i rregullave të qarta dhe sidomnos garantimi i transparencës për financimin e partive politike dhe fushatave elektorale janë jetike për demokracinë.

Ligjit për Dekriminalizimin e politikës dhe punonjësve të administratës publike është një instrument thelbësor, por që të kemi një ndarje të qartë të politikës nga krimi, korrupsioni, kapja e vendimmarjes etj., është i domosdoshëm një rregullim ligjor për cështjen e financimit të politikës.

Sot ne shohim rritjen e paimagjinushme të kostos dhe shpenzimeve të Fushatave Zgjedhore. Në krahasim me mundësitë dhe situatën ekonomike shqiptare si dhe fondin e miratuar nga Buxheti i Shtetit për partitë, ajo çfarë ndodh në fushata është qartazi prania e parasë të padeklaruar, për të mos thënë parasë së pisët. Problematikë tjetër është përfshirja e financuesve të partive politike nëpër listat zgjedhore dhe në funksione të larta administrative. Kjo praktikë të kthen tek përvoja e blerjes së funksionit publik. Përfituesa të tenderave publikë shpesh janë donatorë të shpallur ose të jo të partive politike. Gjithashtu, mos deklarimi i donatorëve dhe fondeve krijon mbulimin e nevojshëm për  përdorimin e parave, të cilat nuk vijnë nga burime të kontrolluara, por nga aktivitete të jashtë-ligjshme, duke ju dhënë imunitet politik dhe ekonomik personave me rekorde kriminale dhe korruptive. Ky është një nga problemet më të mëdha të financimit privat, pasi aksesimi i pabarabartë i fondeve partiake ndikon në barazinë dhe në konkurrimin e pjesëmarrësve në politikë. Lënia e lirë e shpenzimeve të kandidatëve nga partitë politike, të financuara me burime të dyshimta hap rrugën për angazhimin politik të individëve, të cilët e përdorin politikën për përfitime personale dhe klanore.

Bërja transparente e të ardhura partiake ndihmon procesin e dekriminalizimit dhe mban larg figurat e inkriminuara. Një propozim është edhe vendosja e rregullit, që transparenca e të ardhurave dhe shpenzimeve për çdo parti të kryhet çdo vit fiskal. Shqipëria ka një ligj për financimin e partive, por nuk ka kontroll mbi raportimin dhe pasqyrimin e fondeve; nuk ka limit për donacionet private si dhe nuk ka limit për shpenzimet e fushatave elektorale. Sot, që jemi në momentin e rishikimit të Kodit Elektoral është një mundësi, që këto çështje të adresohen.

Rregullimi i deritanishëm ligjor bëhet nga dy ligje të ndryshëm, ai për partitë politike, që mbulon aspektin e financimit të partive si organizatë dhe Kodi Zgjedhor që mbulon financimin e fushatave. Një zgjidhje më e mirë do të ishte hartimi i një Ligji të ri, që mbulon gjithë aspektet e financimit të politikës, atë të partive si organizatë, atë të aktiviteve politike, si dhe atë të fushatave zgjedhore. Një ligj i ri do të duhet t’u jepte zgjidhjet çështjeve si liberalizim, apo kufizim i financimeve private; gjetje e një balance të arsyeshme midis financimeve publike dhe private; kufizimet nga përfitimi i posteve apo parave publike për ata që financojnë politikën, kriteret dhe mekanizmat e transparencës maksimale dhe efektive; indipendenca dhe besueshmëria e kontrollit mbi shpenzimet partiake të lidhura me fushatat zgjedhore dhe transparenca totale e pasqyrave financiare; sanksionet dhe penalitetet për partitë ose kandidatët që thyejnë ligjin.

Kjo është një cështje vullneti politik, por edhe vëmendje. Për momentin ne flasim shumë për pasojën e financimit të pakontrolluar, flasim për korrupsionin, klientelizmin dhe kapjen e vendimmarjes, por flasim pak ose aspak për një nga burimet kryesore, për financimin e partive dhe kandidatëve nga biznese dhe paraja e pisët. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë, që veç shtrëngimeve për të parandaluar përfshirjen si aktorë politik të personave të inkriminuar, të hedhim një hap tjetër vendimtar për pastrimin e politikës nga kapja. Kjo reformë është e domosdoshme, që të mos përfundojmë tek pushteti që buron nga paraja, por tek pushteti që buron nga besimi, besimi i votuesve, dhe jo i parasë. Pas dekriminalizimit të individëve në politikë duhet të kryejmë dekriminalizmin e partive, nëpërmjet rregullimit dhe transparencës së financimit.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.023252964019775
array(1) { ["section"]=> string(57) "financimi-i-partive-politike-dhe-blerja-e-pushtetit-58293" }