“Nuk kam shkarkuar njeri nga puna. RTSH-ja po i nënshtrohet një strukture të re, ku shkrihen drejtoritë e departamentet dhe krijohen redaksitë.
Të tre kompozitorët do kenë detyra të reja, nuk është shkarkim, është ripozicionim”. Kjo ka qenë deklarata e drejtorit të Përgjithshëm të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, Thoma Gëllçi, i pyetur për shkarkimin e tre kompozitorëve të njohur Alfred Kaçinari, Edmond Zhulali dhe Shpëtim Saraçi.
Ndërsa anëtarë të Këshillit të Drejtues të RTSH-së thanë në kushte anonimati se një ndër shkaqet e marrjes së këtij vendimi ka qenë dështimi i festivalit të fundit të këngës, i mbajtur në dhjetor dhe fakti që ata gjithë vitin bënin vetëm këtë festival. Vetë Thoma Gëllçi tha se statuti i ri i RTSH-së është miratuar nga parlamenti në muajin dhjetor dhe ka hyrë në fuqi në muajin janar.
Ai shpjegoi se si do jetë struktura e re dhe ato që sipas tij do të jenë pozicionet e reja të tre kompozitorëve të njohur, që kanë bërë emër në muzikën shqiptare. Gëllçi i është përgjigjur për ‘Gazetën Shqiptare’ edhe deklaratave të Jozefina Topallit, deputetes së PD-së, e cila enjten akuzoi Ramën se ka shkarkuar tre kompozitorët. Sipas Gëllçit, ata që kundërshtojnë në parlament, janë po ata që e kanë miratuar statusin e ri të RTSH-së, ndërsa sipas drejtorit të ri të emëruar në krye të institucionit vitin e shkuar – debati është i pabazë.