Ngjarja e rëndë e një dite më parë ku Aldison Beluli qëlloi për vdekje Ariela Muratajn tronditi mbarë opinionin.
Sot në studion e “Rudina” në një intervistë ekskluzive xhaxhai i Aldisonit, Andon Belulaj deklaroi se në dijeni të tij të rinjtë ishin të lidhur, por kohët e fundit kishin patur mosmarrëveshje.
“Kam fëmijë vetë, por nuk e duroj dot, më tepër për vajzën se sa për nipin tim. Nuk bëhej kjo, iku ajo kohë. Kjo qe e papritur për ne, kaq di të them unë si xhaxha. Di që kanë patur një lidhje, por dashuria e të rinjve është si fija e flokut, grindeshin, por që të arrinin këtu nuk e mendoja. Aldisoni ka qenë normal. Sipas dijenisë time kanë qenë të lidhur që në gjimnaz. Mosmarrëveshjet kohët e fundit mund të kenë çuar deri këtu ngjarjen. Vëllai kunata dhe djali kanë shkuar tek shtëpia e vajzës dhe kanë pritur një përgjigje ndoshta deri dje dhe djali pastaj ka ikur. Kur pashë lajmet dje u tmerrova. Nuk e di se kur kanë shkuar prindërit tek familja e vajzës”, tha xhaxhai i Aldisonit, Andon Belulaj.
Ariela Murati u përcoll për në banesën fundit ditën e sotme.
Ceremonisë mortore i janë bashkuar edhe shoket e klasës së Arielës, të cilët sot kanë lënë mësimin për ti dhënë lamtumirën e fundit shoqes së tyre. Ndërsa studentëve u është bashkuar edhe një pjesë e stafit të pedagogëve.
Studentja humbi jetën tragjikisht, ku Aldison Belulaj e qëlloi atë me armë zjarri, pasi kjo e fundit e kishte refuzuar dhe më pas i riu qëlloi edhe veten. 23-vjeçari ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin e Traumës në kryeqytet.