Flutura Açka: Koha për Pakt Kombëtar, jemi në rrezik...

Publikuar tek: politike, më 10:49 22-05-2019 Flutura Açka: Koha për Pakt Kombëtar, jemi në rrezik... Flutura Açka

Shkrimtarja e njohur Flutura Açka i bën thirrje qeverisë dhe opozitës të bëjë hapa prapa për të thirrur një tryezë të madhe kombëtare me intelektualë dhe akademikë që mund të ndihmojnë për zgjidhjen  e krizës në të cilën ndodhet vendi.

Në një intervistë për emisionin "Tempora" të Sonila Meços, shkrimtarja nënvizon se është koha për një pakt kombëtar.

"Kjo është  një çështje që duhet parë me largpamësi. Jo vetëm të mendohet për politikën e ditës, pushtetin tënd por edhe për ata njerëz që çdo  ditë e më shumë sa herë që hapin ekranin mendojnë si ta lënë Shqipërinë. Kjo është çështje e emergjencës kombëtare."

Intervista e plote

Pyetje: Në këtë moment që po kalon Shqipëria një krizë besimi dhe krizë institucionale mendimi i intelektualëve vlen dhe duhet shumë. Si mund të dilet nga kjo krizë që ka kapluar vendin?

Flutura Açka: Panorama duket e zymtë por nuk e shoh fare fare pa zgjidhje. Ka gjithmonë një zgjidhje kur palët kanë dëshirë të gjejnë një zgjidhje por druaj shumë që këto palë mund të gjejnë një zgjidhje, sepse janë këto që e krijuan. Kam pak drojë, nëse do të arrijnë të gjejnë një zgjidhje në këtë situatë të nderë, opozita në rrugë,  një opozitë artificiale e krijuar enkas për të justifikuar parlamentin, një shtet pothuajse i rënë. Asgjë nuk funksionon. Asgjë nuk funksionon, as prokuroria, as qeveria vetë e cila mezi mbahet në këmbë, parlamenti dihet, media pothuajse e kapur. Gjithçka që ka akuzuar opozita është vërtetuar që është e vërtetë, është justifikuar. Një vend që nuk ndodh asgjë dhe ndodh gjithçka. E vetmja zgjidhje e kohës mund të ishte Pakti Kombëtar. Një thirrje që mund ti bëhet elitës, intelektualëve shqiptarë,  që të mund të krijohen mundësitë që këta njerëz të ulen në tavolinë dhe të bisedojnë, por këta vetë, këto dy palë është shumë e vështirë ta gjejnë gjuhën sepse janë ata që e kanë krijuar.

Mendoni se Intelektualët e kanë forcën që të bindin këta dy koka?

Flutura Açka: Sigurisht që e kanë forcën. Çështja është a e hapin këta. A bëjnë hapa prapa për ti hapur terren intelektualëve. Kemi një elitë, jo se është e druajtur por nuk e përfill kush. E ka fyer politika në mënyrë sistematike, për 30 vite zëri i elitës shqiptare pothuajse nuk ndihet. Ndërsa pjesa e elitës që është marrë me politikë pothuajse më shumë është kompromentuar për shkak të kësaj që po ndodh me politikën shqiptare. Një thirrje për një pakt kombëtar edhe vetë politikës do i bënte një lloj purifikimi. Sepse është koha për purifikim.

Kush do ta bëjë këtë thirrje? O ta bëjnë të dy palët, ose opozita, kjo është çështje që duhet parë por në këtë zgript ku jemi kjo është një thirrje e pranueshme edhe për publikun e gjerë që ka humbur besimin tek politika shqiptare. Të themi të dretën.

Në gjashtë vite qeverisje të socialistëve, dëgjon vetëm që shahet opozita, asnjë  qasje për të shpjeguar se çfarë është bërë me qeverisjen, ku kemi shkuar me qeverisjen. Nuk është dhënë një herë të vetme llogari, vetëm ministra që hiqen dhe ikin pa dhënë kurrfarë llogari për çfarë ka ndodhur.

Kjo është  një çështje që duhet parë me largpamësi. Jo vetëm të mendohet për politikën e ditës, pushtetin tënd por edhe për ata njerëz që çdo  ditë e më shumë sa herë që hapin ekranin mendojnë si ta lënë Shqipërinë. Kjo është çështje e emergjencës kombëtare."

Ju flisni për emergjencë kombëtare, por a do të fillonte zgjidhja me largimin e kryeministrit dhe të qeverisë?

Flutura Açka: Largimin e kryeministrit nuk e shoh thjesht nga situata politike e brendshme. Një kryeministër në Europë thjesht me krizën që u krijua edhe për shkak të ndërhyrje së tij në rastin e Kosovës, do të mjaftonte që një lider i mençur europian të jepte dorëheqjen. Kaq do të mjaftonte. Nuk po futem fare tek politika e brendshme sepse duket sikur mbaj anë. Vetëm ky fakt do të mjaftonte të largohej dhe si burrë shteti të thoshte: Më falni, po largohem, sepse unë pa dashje me qëllimin e mirë, bëra një gabim që shkaktoi një krizë shumë delikate dhe të rrezikshme Kosovës.

Në 30 vite kemi kriza politike të vazhdueshme, dhe pakte politike të vazhdueshme. A besoni në një pakt politik të ri?

Flutura Açka:   Ne mund të gjykojmë dhe opozitën, të themi që edhe ajo ka faj. Sigurisht që ka kusuret e veta, sepse dhe kjo opozitë dje ka qenë në pushtet dhe ka bërë të njëjtat gabime, por  problemi është se sot nuk mund ti kërkosh shumë opozitës. Ajo e bëri një gabim me paktin e 2017 dhe nuk mund ti kërkohet të bëjë të njëjtën gjë sepse do të na çonte në një forcim të pushtetit të Edi Ramës.  Prandaj opozita duhet të gjejë një zgjidhje të re. Cila është, a do të jetë ajo largpamëse apo dritëshkurtër nuk e di, mbetet për tu parë.

A mund të kemi besim tek një pakt politik?

Flutura Açka:  Sigurisht, sepse këta janë faktorët, nuk kemi ku ti gjejmë. Nuk mund të importojmë  njerëzit. Nuk mund të importojmë politikanët. Këto janë politikanët. Mirë keq e kemi pranuar këtë terren. I kemi votuar, përkrahur dhe këta njerëz do ta bëjnë zgjidhjen. Problemi është a do ta bëjnë zgjidhjen me kokën e tyre sic duan ata apo do të kenë prapa një ide të qëndrueshme dhe të besueshme për shqiptarët mbetet për tu parë.

Ndërkombëtarët duket sikur janë dorëzuar, mos është ky një izolim...?

Flutura Açka: Jo nuk është izolim, as për opozitën por dhe as një entuziazëm shumë i madh për Shqipërinë.  Europianët  janë lodhur 30 vjet me shqiptarët që vetëm ripërsërisin kriza e kriza.

Do të thotë që shqiptarët nuk kanë dëshirë të bëjnë shtet. Ata janë lodhur. Në fund të fundit Shqipërinë e ka shpëtuar nga një lloj dominance, rikthimi i diktaturës vetëm fakti se është në Europë dhe nuk guxon të bëjë ndryshe,përndryshe sot do të kishim një pamje krejt tjetër që do të ishte fatale  nga ajo nga e cila jemi përpjekur për të shmangur.

A po e rrezikojmë?

Flutura Açka: Jemi në rrezik përderisa kemi blerë gjithçka. Kemi blerë median, prokurorinë, asgjë nuk funksionon. Sigurisht jemi aty. E vetmja gjë që na ndan nga diktatura është fakti që jemi në Europë dhe nuk guxojmë të kthejmë diktatura më sepse do të iki i pari ai që do përpiqet të bëhet diktaror.

A keni një thirrje për intelektualët?

Flutura Açka: Intelektualët flasin përditë. Shikoni facebook. Njerëz të ndershëm të kësaj Shqipërie janë me mijëra, por duhen thirrur në tryeza bisedimesh njerëz që kanë alternativa dhe akademikë që kanë alternativa.Në kohëra të vështira shqiptare burrat e mençur shqiptarë kanë thënë fjalën e tyre dhe kanë ndryshuar rrjedhën e historisë për mirë. I duhet politikës të tërhiqet disa hapa prapa për të bërë thirrje për këtë tryezë të madhe kombëtare për të cilën kemi shumë nevojë

Një mesazh për shqiptarët?

Flutura Açka: Shqiptarët duhet të besojnë tek demokracia e tyre sepse pavarësisht se e brishtë do të vijë një ditë dhe do të kullohet e pastër. Protesta është legjitime dhe e ndershme, por sigurisht sa më larg akteve të dhunës dhe shkatërrimit të institucioneve në mënyrë që të mos i japim mundësinë atij që sot ka pushtetin në dorë të helmojë gjysmën e Tiranës e Shqipërinë.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.021565914154053
array(1) { ["section"]=> string(57) "flutura-acka-koha-per-pakt-kombetar-jemi-ne-rrezik-165245" }