Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, ka mbledhur sot grupin e punës për menaxhim efektiv të 7 projekteve të para që vijnë nga Bashkimi Evropian.
Gjosha, në cilësinë e koordinatorit Kombëtar të Fondeve IPA u tha institucioneve përfaqësuese se u lindin përgjegjësi dhe detyra, të cilat nevojiten të përmbushen në kohë.
“Duke qenë se, të gjitha strukturat dhe autoritetet përballen për herë të parë me këtë eksperiencë, nevojitet angazhimi i të gjithë aktorëve për ta realizuar me sukses menaxhimin e projekteve të decentralizuara. Ministria e Integrimit Evropian, nga ana e saj është e gatshme të ofrojë gjithë asistencën e mundshme për të realizuar me efektivitet të gjithë proceset”, tha Gjosha për projektet, të cilat ende nuk kanë një llogaritje të vlerës totale.