24 maji i vitit të largët 2004 ishte dita që i ndryshoi jetën përgjithmonë efektivit të Policisë Rrugore, Resmi Hasanpapaj.
Ai nuk e dinte se atë mbrëmje, në krye të detyrës do të përballej me krimin. Pasojat ishin tejet të rënda.
Nga shkëmbimi i zjarrit me agresorët, gjatë ndalimit të një makine të vjedhur, Resmiu vet do të mbetej i paralizuar, ndërsa kolegu i tij në shërbim Allaman Dervishi, fatkeqësisht nuk iu mbijetoi dot plagëve të marra.
“Historia është shumë e rëndë, është shumë e vështirë të dalësh nga shtëpia dhe të kthehesh në gjendjen që u ktheva unë, apo edhe më keq kolegu im, që mbeti i vrarë në krye të detyrës. Por duhet parë përpara”, thotë Resmi Hasanpapaj për Top Channel.
Pasioni për policinë ka bërë që Resmiu të mos e harrojë misionin, për të cilin dikur u betua. Sot, ai ndihmon vullnetarisht, çdo ditë e përreth 3 orë, kolegët e tij të Kartotekës në Policinë Rrugore të Tiranës.