Ditën e djeshme është përcjellur për në banesën e fundit spikerja e parë e lajmeve në RTSH, Stoli Beli. Puna e saj në shërbim të informimit, edukimit dhe argëtimit të publikut të gjerë është vlerësuar ndër vite.
Data 29 prill e vitit 1960, ka qenë një ditë historike për gazetaren, spikeren dhe redaktoren e parë në ekranin shqiptar. Beli është prezantuar përpara teleshikuesëve në studion e parë Televizive Shqiptare me fjalët “Të dashur spektatorë, mirëmbrëma… Sonte fillon për herë të parë `Qendra Eksperimentale e Televizionit Shqiptar`”.
Ajo e filloi karrierën një kohë kur gjithë programet ishin drejtpërdrejt, dhe kur nuk kishte studio regjistrimi. Stoli nuk ishte vetëm spikerja e parë në ekran, por më pas u bë edhe gazetarja e parë, redaktorja dhe regjisorja e parë. Ende sot e kësaj dite mbetet një nga figurat më të dashura të spektatorëve.