Pikërisht në fshatin Godolesh të Elbasanit është krijuar një situatë e pazakontë teksa banorët janë të përçarë për riparimin e rrugës që u dëmtua nga rreshqitjet e dheut.
Dëmtimi i rrugës ka qenë aq i rëndë sa e ka paralizuar lëvizjen e mjeteve e për këtë arsye banorët kanë organizuar një protestë duke kërkuar zhbllokimin e saj. Bashkia e Elbasanit dërgoi mjetet për zhbllokimin e rrugës së fshatit, por hasi në kundërshtinë e fortë të gjysmës tjetër të banorëve që shprehen se iu cënohet prona private. Banorëve iu ofrua shpronësimi i pjesës së tokës ku do të ndërtohet rruga e re, disa metra katrorë, por banorët kanë kundërshtuar. Kjo situatë ka bërë që fshati Godolesh të mbetet i izoluar nga pjesa tjetër e botës, të paktën për sa i përket lidhjes me rrugën e vetme që ka.