Aktori i njohur i humorit, Bes Kallaku festoi 35-vjetorin duke mbledhur të gjithë miqtë dhe të afërmit e tij.
Pavarësisht situatës së pandemisë dhe rregullave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, ai vendosi që ta festojë ditëlindjen në një lokal me rreth 30 veta që këndonin, kërcenin dhe bënin foto. Policia bëri një njoftim zyrtar për të lajmëruar se të gjithë të pranishmit do të gjobiten për mosrespektim të rregullave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë. Po ashtu u lajmërua se personat që morrën pjesë në festë u identifikuan nga kamerat e sigurisë.
Në festën e aktorit morën pjesë edhe presidenti Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. Edhe këta janë gjobitur nga policia, ndërsa për Kryemadhin kjo është gjoba e tretë që po merr për shkak të mos respektimit të rregullave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Në ditëlindjen e Bes Kallakut kanë qenë të pranishëm moderatorja Arbana Osmani dhe partneri i saj, regjisori Eduart Grishaj. Të dy postuan foto nga ditëlindja e Besit, të veshur si fshatarë.
Gjithashtu kanë marrë pjesë edhe këngëtarët Klajdi Haruni dhe Bruno, të cilët kanë kënduar dhe kërcyer gjatë ditëlindjes.
Gjobën duhet ta paguajnë edhe aktori Olsi Bylyku dhe e dashura e tij Egli Tako të cilët morën pjesë në festë.
Gjithashtu në fotot e publikuara duket edhe aktori dhe krye bashkiaku socialist i Kolonjës Erion Isai me bashkëshorten e tij, të cilët do të paguajnë gjobën.
Po ashtu edhe futbollisti Andi Lila me partneren e tij ishin të ftuar dhe janë parë në një nga videot e publikuara të Bes Kallakut.