Fred Peza dhe shpërthimi i qelbit nga gazetaria e infektuar!

Publikuar tek: analiza-komente, më 11:21 24-01-2017 Fred Peza dhe shpërthimi i qelbit nga gazetaria e infektuar!

Nga Ylli Pata

Alfred Peza nuk është një viktimë në gjithë zallamahinë e një sulmi që ka pushtuar të gjithë rrjetin, ku ka edhe gazetarë që kanë shpërthyer anën më të frikshme njerëzore që mund të imagjinohet se ekziston.

Peza, është një shënjestër politike, pasi që në ditën që hyri në politikë ai është pjesë e një grupimi që do të sulmohet dhe kërkohet llogari apo gjykohet nga publiku.

Këtu nuk është fare çështja nëse unë apo dikush tjetër kemi dyshime sesi Peza i bëri gjithë ato para dhe i investoi diku.

Por në radhë të parë për gazetarët është detyrimi ndaj së vërtetës që ta zbardhin të gjithë historinë e pasurisë së ish-kolegut tonë që sipas dokumenteve të paraqitura është mbledhur përpara se të bëhet deputet.

Duhet vetëm një makinë llogaritëse dhe dy ditë punë. Duhet pyetur të gjithë punëdhënësit e tij ndër vite dhe më pas të shkruhet e analizohet gjithçka.

Por helmi derdhur me shumicë ndaj jetës private, fëmijët, apo cinizmi i pafre pas rrëfimit mbi torturimin e Fredit në 1997-n ka kaluar çdo cak.

Të gjithë e dimë se Fred Peza, si pjesë e elitës drejtuese të medias për gati 20 vjet ka qenë i rrëthuar me kolegë servilë e lajkatarë, por edhe nga gazetarë që janë përplasur e janë konfliktuar me të.

Historia e medias shqiptare është radiografia më e dhimshme e shoqërisë shqiptare ku veset e ulëta njerëzore kanë predominuar për pak karrierë, para por edhe izmën e shefit të madh.

Kjo kategori sot hesht dhe një pjesë është bërë edhe kontigjent i rrjeshtit që sulmon poshtë brezit.

Unë Pezën e njoh që në 1997. Kam punuar, bashkëpunuar, përplasur e shumë herë nuk kam rënë dakord apo kam pasur rrugë të ndryshme.

Jam dijeni si edhe për gjithë kolegët për jetën, virtytet, veset apo edhe ndjesitë e tjera njerëzore duke jetuar në një ambjent ku jetohet 15 orë në punë e vetëm 9 orë në shtëpi.

Nganjëherë edhe më shumë. Njohim më shumë kolegët sesa familjarët tanë që i shohim rrallë e dhe kur i shohim kokën e mbajmë në televizor e internet për të ndjekur zhvillimet se mos na ikën ndonjë lajm.

Një koleg, mbrëmë kërkonte makinë llogaritëse në fejsbuk. Shumë mirë këtë të bëjmë: të zbardhim të gjithë të vërtetën e kësaj pjese që i ka tronditur disa e që kërkojnë shpjegim se si Peza ka mbledhur gjithë ato para.

Këtu mbaron gjithçka!

Ndërsa mllefi e qelbi që ka shpërthyer në rrjet nga ata që dikur i janë bërë urë Fred Pezës, është pjesë e një mjerimi që e ka futur gazetarinë që kur kjo punë tek ne nuk është rrëfim i një historie, por një telefon i prishur i humoreve dhe perceptimeve të kastës më të poshtër të këtij vendi.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.095901966094971
array(1) { ["section"]=> string(65) "fred-peza-dhe-shperthimi-i-qelbit-nga-gazetaria-e-infektuar-66478" }