Frenohet rritja e kredisë për individët

Publikuar tek: ekonomi, më 13:28 15-08-2016 Frenohet rritja e kredisë për individët

Në një analizë për tendencat e kreditimit, Banka e Shqipërisë ka arsyetuar se kredia për individë që ka shënuar rritje në muajt maj-prill me 3.5%, me një ulje norme nga 3.9% që ishte një vit më parë, është ndikuar nga ngadalësimi i ritmeve të kredisë gjatë kësaj periudhe.

Kredia konsumatore shënoi normë vjetore rritjeje me rreth 10.8%, kundrejt 12.4% që rezultonte në tremujorin e parë të vitit. Në terma mujorë, zgjerimi i portofolit të kredisë për individë është mbështetur kryesisht nga kredia e dhënë për blerje banese.

Ecuria e këtij portofoli rezulton e qëndrueshme, duke reflektuar ofertat e shtuara për këtë segment me produkte me kushte të favorshme.

Megjithëse bankat raportojnë për rritje të kërkesës për kredi për blerje banese në tremujorin e fundit, zgjerimi i këtij portofoli mbetet ende i plogësht.

Norma vjetore e rritjes së kredisë për blerje banese u luhat rreth vlerës 2.5% në periudhën prill-maj, duke rezultuar më e ulët kundrejt normës mesatare prej 3% të regjistruar në tremujorin e parë. Ecuria e kredisë së individëve sipas monedhës është mbështetur plotësisht nga kreditimi në monedhë vendase. Kredia për individë në lekë është zgjeruar mesatarisht me 9.3% në muajt prill-maj, duke balancuar tkurrjen e kredisë në valutë. Orientimi i kreditimit drejt monedhës vendase është ndikuar si nga faktorë të kërkesës, ashtu edhe nga faktorë të ofertës.

Nga ana e kërkesës, procesi i formalizimit ka mbështetur afrimin e klientëve të rinj në sistemin bankar, duke nxitur kërkesën për kredi në përputhje me monedhën në të cilën ata kanë të ardhurat e tyre. Njëkohësisht, agjentët ekonomikë janë ndërgjegjësuar më shumë për rreziqet e ekspozimit ndaj kursit të këmbimit për huamarrjen në valutë.

Nga ana e ofertës, reduktimi i diferencës së normave të interesit midis lekut dhe euros, si edhe politikat e bankave me oferta tërheqëse në monedhë vendase kanë shtuar më tej interesin për kredimarrje në monedhë vendase. Kredia në lekë zë një peshë prej rreth 54.5% ndaj totalit të kredisë për individë, duke shënuar rritje të mëtejshme krahasuar me 51.6% që shënonte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga ana tjetër, teprica e kredisë në valutë është reduktuar me rreth 2.6% mesatarisht në periudhën prill-maj, raporton Monitor.

Kërkesa e individëve për kredi në tremujorin e dytë të vitit vlerësohet të jetë nxitur nga nevoja e familjarëve për financimin e konsumit dhe për blerje banesash, njëkohësisht me lehtësimin e kushteve të kreditimit dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë.

Në ndryshim nga një tremujor më parë, faktorë të tjerë si zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe burimet alternative të financimit kanë kontribuar pozitivisht në nxitjen e kërkesës për kredi të individëve.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.012432813644409
array(1) { ["section"]=> string(45) "frenohet-rritja-e-kredise-per-individet-49795" }