Frroku: Edhe mund të arrestohem, por s’kam dhënë dëshmi të rreme

Publikuar tek: aktualitet, më 08:36 23-03-2015 Frroku: Edhe mund të arrestohem, por s’kam dhënë dëshmi të rreme Deputeti Mark Frroku

Pas relacionit të Prokurorisë, ku thuhej se deputeti Mark Frroku e njihte Durim Bamin dhe madje e ka prezantuar atë me deputetin Tom Doshi, Frroku ka reaguar duke i kërkuar Prokurorisë të verifikojë të gjitha deklarimet e bëra nga të gjithë  personat e pyetur mbi këtë ngjarje. Në deklarimet e tyre, sipas Frrokut gjendet personi që e ka njoftuar deputetin Doshi për vrasjen. 

Ai thotë se nuk  e ka njoftuar Tom Doshin për asnjë skenar vrasjeje dhe se emri i tij lakohet e implikohet në mënyrë abuzive në këtë çështje. Frroku ka kërkuar që Prokuroria të verifikojë edhe deklarimet e bëra prej tij në media. Deputeti mohon që mjeti tip "Audi" me targa , AA 600 JP të jetë në pronësi të tij. 

"Akuzat ndaj meje janë  precedent i rrezikshëm për politikën. Unë nuk  kam qenë asnjëherë administrator i “Xhoi Lloto” dhe nuk mbaj përgjegjësi pas shitjes së automjetit. Besnik Tomën  e ka marrë Prokuroria në pyetje por Besnik Toma është thjesht shoferi që drejton makinën me të cilën udhëtoj unë", është shprehur Frroku. Të njëjtën gjë deputeti ka thënë edhe në një intervistë dhënë për gazetën shqiptare.

Deputeti Mark Frroku, për të cilin prokuroria i ka kërkuar Kuvendit lejën për ta arrestuar, parashikon që edhe mund të arrestohet sepse sipas tij ‘’Çdo gjë mund të ndodhë në këtë vend’’. Por Frroku e mohon se ka bërë kallëzim të rremë.

“Është  hera e parë në 25 vjet që ndodh ky precedent. Unë akuzohem për dëshmi të rremë, që edhe ajo nuk ekziston, është e paprovuar dhe unë kam thënë të vërtetën. I përmbahem pikë për pikë dëshmisë që kam dhënë, por që të kërkosh për një deputet arrestimin për dëshmi të rreme, që fillon nga gjobë deri në një vit burg, kjo nuk është parë. Vetëm kjo akuzë rëndon mbi mua për momentin. Vetëm dëshmia e rreme para prokurorit, që edhe kjo duhet provuar nga prokuroria, sepse ata nuk kanë asnjë lloj prove.’’, thotë Frroku për Gazetën Shqiptare, duke shtuar se e gjitha kjo është papërgjeshmëri totale nga ana e prokurorisë.

Frroku rideklaron edhe njëherë se nuk e njeh Durim Bamin, duke shpjeguar se ka shumë komunikime gjatë ditës duke qenë deputet, me njerëz që nuk i njeh. I pyetur për marrëdhëniet me Tom Doshin, ai tregon se ka kontaktuar me të vetëm në Kuvend dhe se nuk e ka pyetur ndonjëherë se pse e futi në këtë histori.

‘’Nuk kam pasur asnjë komunikim, jemi parë vetëm në korridoret e Kuvendit dhe kaq. Nuk e di pse më ka përfshirë. Nuk e kam pyetur ndonjëherë se përse e ka bërë këtë gjë. Vetëm ballafaqim te prokuroria kemi pasur asnjë komunikim tjetër’’ përfundon Frroku.

Sot do të mbahet mbledhja e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit në Kuvend për të diskutuar mbi kërkesat e Prokurorisë për arrestim të Doshit dhe Frrokut. Pas kërkesës së Doshit, mbledhja u shty me një ditë, pas mbledhjes së parë të së shtunës. 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Zbardhet raporti mjekësor i Tom Doshit: Hipertension, 5 ditë pushim
Shtyhet me 2 ditë mbledhja e Këshillit për arrestimin e Doshit dhe Frrokut, Halimi:Po Kokëdhima kur? »
Article Logic
Execution time: 0.013082027435303
array(1) { ["section"]=> string(67) "frroku-edhe-mund-te-arrestohem-por-s-kam-dhene-deshmi-te-rreme-6663" }