"Fryrjet" e bujshme të Ramës: Si futi dhe nxorri nga PS Rudinën, Milenën e Adelinën (Shkëlqimi dhe rënia e tre yjeve)

Publikuar tek: politike, më 12:44 06-01-2018

Kur në vitin 2011, Edi Rama pompoi me të madhe daljen e një ylli të ri në tryezën e punës së Partisë Socialiste dhe në qeverisjen e saj të ardhshme, askush nuk e njihte Rudina Seserin. Madje, shumëkujt nëpër strukturat e Partisë Socialiste, i ka humbur edhe sot imazhi, pse jo i është harruar edhe emri një ish-politikaneje, që doli në gjithë studiot televizive, pavarësisht se në këtë moment është duke zhvilluar një karrierë të shpejtë dhe të sigurt sipërmarrjeje në SHBA.

Rasti e do të thuhet, se në strukturat e PS, është e vështirë të kooptohesh, dhe aq më i vështirë bëhet procesi, kur dhunshëm, kryetari i radhës i PS kërkon të përfshijë emrat që duken për socialistët si një “mish i huaj”.

Rudina ishte një grua ambicioze, elokuente, me logjikë të formuar, por e panjohur me debatin e ashpër politik. U vu në epiqendër të medias atëkohë të largët të vitit 2011, sepse në përballjet e vështira politike ku e vendosën, nuk kishte as njohurinë e duhur politike e historike, por as mënyrën sesi bëhej politikë në Shqipëri.

Vetëm dy vite pas zgjedhjes së saj si deputete, nuk e gjeti veten brenda strukturave, dhe as brenda parlamentit shqiptar. Iku andej nga erdhi për të vazhduar punën e vet të administrimit, dhe për të lënë një shembull konkret në strukturat e PS, se kryetari i kësaj force, kushdoqoftë në një moment të caktuar politik, nuk mund të importojë dhe të vjedhë votat e elektoratit me personazhe që nuk kanë një histori lidhjeje me këtë forcë politike.

Fatin e saj pak më vonë dhe ndoshta edhe tani, po e provon një tjetër grua: Milena Harito, u pompua për strukturat e PS si një zë inovativ që vinte nga jashtë për të dhënë kontributin në Shqipëri. Ishte zëri i gruas që do të sillte ndryshim dhe në konceptin sesi duhet të zhvillohej administrata digjitale.

Katapultimi i Milena Haritos ishte i menjëhershëm në të gjitha strukturat. Anëtare Asambleje, anëtare kryesie, e ministre e forcës kryesore politike që fitoi zgjedhjet e 2015. Por mandati I dytë I PS, e gjen Milena Hariton të papunë, të papërfaqësuar, pa ndonjë zë konkret në struktura dhe në diskursin publik politik të forcës më të madhe politike në vend, duke treguar një tjetër shembull, sesi nuk mund të kooptohen pa kontribute njerëzit brenda Partisë Socialiste.

“Adelina i tremb të gjithë në Tiranë”…Kështu Edi Rama u thoshte në Burrel mbështetësve të vet për ish kryetaren e bashkisë, të parën grua zonjë të parë në Burrel, Adelina Farrici. Organizoheshin takime politike e toën hall, në Tiranë, Adelina Farrici ishte ndër të parat grua që ulej në platen kryesore. Kështu ishte edhe kur zhvilloheshin kongreset pompoze të PS. Apo debatet e hapura për çështje nga qeverisja vendore te arsimi. Si ish-drejtoreshë shkolle, Adelina Farrici mendonte se një karrierë e tejmbushur politike e priste në vazhdim. Edi Rama nuk harronte të kujtonte se ajo ishte grua e zonja dhe që trembte këdo, madje shprehej se ndihej i bezdisur nga projektet e shumta që vinin nga Burreli dhe nuk kishte fonde ti financonte. Në ekranet e lajmeve në Tiranë, emri i Adelina Farricit, ishte ndër të parët. Nëse nuk doje ti hapje derën, Adelina futej nga dritarja për të qenë në kontakt me elektoratin.

Por dhe Adelina Farrici, siç hyri doli në strukturat e PS. Që nga viti 2015, emri i saj jo vetëm është harruar, por askush nuk kujtohet ta promovojë.

PS ka bërë shumë eksperimente gjatë gjithë këtyre viteve. Sidomos me sjelljen e njerëzve dhe hapjen e partisë nga kryetari i vet. Procesi që tentohet të kryhet dhunshëm, në shumë raste, sikurse edhe për zonjat e nderuara të sipërcituara ka dështuar. PS mund të jetë për momentin një parti “që fle në ujërat që i trazon vetëm kryetari”…Por të hysh dhe të bësh karrierë në PS është e vështirë. Nuk e bën dot thjesht dhe vetëm me imponimin e kryetarit. Votuesit e majtë duhet të të duan.

Eshtë e rastit të përmenden emra të pafundëm të promovuar dhe të harruar. Sepse kanë hyrë nga dera e Partisë Socialiste dhe nuk dihet se nga kanë dalë. Edhe për faktin, se kurrë nuk kanë njohur jetën e PS, apo të kenë pasur teserën e kësaj force politike. Ndoshta ka ardhur koha, që zgjedhjet e reja që bëhen te kjo forcë politike, të jenë më të mirëmenduara, dhe si rezultat i zgjedhjeve të brendshme në parti, dhe jo si katapultime të kryeministrit apo enturazhit që e rrethon atë. /NEWSBOMB.AL/

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.012354850769043
array(1) { ["section"]=> string(118) "fryrjet-e-bujshme-te-rames-si-futi-dhe-nxorri-nga-ps-rudinen-milenen-e-adelinen-shkelqimi-dhe-renia-e-tre-yjeve-105636" }