Policia e Tepelenës ka arrestuar sot Erion Ruçin, i cili ishte shpallur në kërkim për grabitjen dy ditë më parë, të ndodhur në fshatin Dukat të Tepelenës. Ndërkohë që mbetet në kërkim një pjestar i grupit të grabitësve, pasi tre të tjerë u kapën në flagrancë. Arbër Petani, Geraldo Qeriza dhe Behar Islami u arrestuan në vendngjarje, pasi deshën t’u merrnin 15 mijë euro tregtarëve të bagëtive në Tepelenë.
Mësohet se Erion Ruçi ishte fshehur në një furgon mallrash, për t’u larguar nga qyteti i Tepelenës në drejtim të Delvinës.
‘’Specialisët për Krimet në Komisariatin e Policisë Tepelënë në vijim të punës për dokumentimin e plotë dhe kapjen e personave të përfshirë në vjedhjen me armë të disa shtetasëve gjatë natës më datën 02.03.2015 në fshatin Dukaj -Tepelenë, kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim: Erion (Aleksandër) Ruçi, 32 vjeç, banues në Delvinë, i shpallur në kërkim për “Trafik të lëndëve narkotike” nga Komisariati i Policisë Sarandë , si dhe i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Tepelenë për “Vjedhje me armë”. Kapja e tij është bërë në hyrje të qytetit Tepelenë në një furgon që shërbente për transport mallrash në tentativë për t’u larguar për në Delvinë.’’, bën me dije policia.
Katër të arrestuarit do të akuzohen për ‘’Vjedhje me armë , në bashkëpunim”. Policia po punon për lokalizimin e pjestarit të pestë të grupit.