Ftuar n’Iftar… edhe ca telendarë

Publikuar tek: analiza-komente, më 11:37 27-06-2016 Ftuar n’Iftar… edhe ca telendarë

Nga Flutura Açka

Iftari u ka hije atyre që e meritojnë, që i kanë shërbyer Zotit një ditë të tërë dhe kanë të drejtë të ulen në tryezën e tij bujare. Por tryeza e tij ndonjëherë në Shqipëri, duket aq bujare, sa u jep të drejtë të ulen në të edhe ca telendarë shqiparë, që nuk kanë fije lidhje me Zotin dhe me virtytin. Nuk e kam fjalën për Iftarin e Kyeministrit (apo të kloneve të tij të deformuar), megjithëse edhe për të mendoj se është një akt hipokrit dhe mirëfilli politik; të tillë kemi parë prej vitesh që jepen nga presidentë, kryeparlamentarë, kryeministra e bashkiakë shqiptarë. Në një shtet laik, shteti merret me punët e shtetit, dhe feja me të vetat, edhe pa dorëzaninë e pjatës së mbushur të pushtetit. Por kjo është një çështje tjetër.

Një nga këto mbrëmjet e fundit, në tarracën e një bar-restoranti të njohur, ku isha ulur për të pirë kafenë e mbrëmjes, u bëra rastësisht dëshmimtare e një ceremoniali Iftari (jo të organizuar nga shteti); thelbin e darkës e kuptova vetëm disa minuta pasi kishin filluar të vinin të ftuarit e parë, se po bëheshin bashkë njerëz që në rrethana të tjera mund edhe t’ia nxirrnin sytë njëri-tjetrit. Mes tyre kishte edhe fetarë të mirëfilltë, nga ata që shpesh shfaqen nëpër ekrane, që i mbrojnë idetë e tyre, të cilët kam bindjen tek kjo tryezë bujare e Zotit duhet të jenë të parët. Jo se kanë bërë sacrificë – siç shprehen mendjet e ndritura të politikës kur mbajnë fjalime para iftaristëve, pasi nuk është sakrificë ta bësh këtë, por dashuri dhe përkushtim (sacrificë bën njeriu për gjëra që nuk dëshiron, por që duhet t’i bëjë) – por sepse kanë respektuar ritualin, dhe këta kanë të gjithë mirëkuptimin dhe respektin tim. Por atë mbrëmje, pa u mbledhur mirë njerëzit që e meritonin bujarinë e Zotit, u shfaqën edhe ca telendarë, që një Zot e di pse mund të ishin të ftuar aty, më pas u shfaqën edhe ca dinjitarë, dhe as këta ndonjë lidhje të pranueshme me Zotin zor se e kanë. Aty nga fillimi u shfaq edhe drejtori i një televizioni periferik, dikur zëdhënës i Partisë së Punës, e më pas me një servilizëm të pashoq u bë një nder zëdhënësit më të devotshëm i PD; tani për të thonë (gazetat marr si reference) se bën flirte të pafund me partinë në pushtet; thonë madje se e ka ngjyer dikur gishtin edhe te baruti i Gërdecit. Me një fjalë, një telendar shqeto. Ngaqë nuk kishte aq njerëz rrotull që të ndihej në shoqëri, ai u ul e porositi kafe, derisa sa ia behu një ish-ministër (një soj i sofistikuar telendari edhe ky, sipas gazetave), i cili pa pritur ende të respektohej ndonjë protokoll, ia futi duart një pjate ullinjsh që kishte para vetes. Domosdo, nga ta dijë ai se duhen larë duart (për rit fetar, jo si para buke), pa duhet pritur duaja e pastaj të hahet. Si u popullua edhe më shumë vendi me gjindje të gjithfarësojtë, ia behën edhe ish-Ministri i Inovacioni dhe Ministria e tanishme e Inovacionit. Bukur mire, njerëz dinjitarë dhe të respektueshëm. Por ç’lidhje ka inovacioni (me një llaf, shkenca) me Zotin, vetëm ata që i bëjnë listat për Iftar e dinë, veç në u sigurojnë kampjutera e programe që të lidhen më mirë më Zotin. Sigurisht që nuk e ndoqa më paradën e të ftuarve aty, por do të kisha dëshiruar që njerëzit që merren me organizime të tilla, mirëfilli fetare, të bënin më kujdes me listat e të ftuarve në festa të tilla. Në grigjën e virtytit, nuk ka vend për vesin, që është mënyra e të jetuarit të ca telendarëve që gjenden kudo dhe kurdo të pranishëm mes racës sonë. Sa për këshillë: mund të ishte një Iftar me të moshuar të qendrave sociale, me të ngujuar që Zoti e di se si e ngrysin ditën, me të pastrehë që vetëm Zotin kanë mik, me jetimë që dielli i kësaj toke u është bërë nënë e babë. Duke bërë kështu, e duke mos e mbushur listën edhe me ‘banditë me kollare’, Zoti do t’ua shënojë siç duhet mirësinë e tyre ftuesve.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.023453950881958
array(1) { ["section"]=> string(37) "ftuar-n-iftar-edhe-ca-telendare-44704" }