“Fuga kundër Fugës”, si nipi ndoqi vite më parë këshillën e xhaxhait dhe sot janë vendosur përballë njëri-tjetrit: “Anekdota ilustruese”

Publikuar tek: politike, më 17:30 04-03-2017 “Fuga kundër Fugës”, si nipi ndoqi vite më parë këshillën e xhaxhait dhe sot janë vendosur përballë njëri-tjetrit: “Anekdota ilustruese”

“Fuga vs Fuga” – Lufta për të ndikuar te komunikimi i Ramës dhe Bashës. Ky është titulli me të cilën hapet sot gazeta Mapo, në pronësi të Henri Çilit.

Një gazetë e sulmuar publikisht nga Artan Fuga, në Mapo shkruhet sot për përplasjen politike të akademikut me nipin e tij, Endri Fuga, këshilltar i kryeministrit Edi Rama. Kjo gazetë i konsideron qëndrimet e Artan Fugës, pro Lulzim Bashës, si “anekdota ilustruese më e mirë e situatës së një vendi të ndarë thellë politikisht”.

Në artikull theksohet se Artan Fuga po fton njerëzit t’i bashkohen çadrës së PD-së, nga ku sulmohet jo pak herë nipi i tij, Endri Fuga, i konsideruar nga opozita si “manipulues i lajmeve në mediat shqiptare”, një fushë (gazetaria) që xhaxhai i tij e njeh shumë mirë. Më tej thuhet se ka qenë vet Artan Fuga që këshilloi vite më parë nipin e tij që të studionte për komunikim.

Pjesë nga artikulli i “MAPO”-s:

E ndërkohë që beteja e palëve duket e papaqtueshme është interesant fakti që në të dy krahët ndodhet një “Fugë”. Vite më parë Endri Fuga ndoqi këshillën e xhaxhait, profesorit të filozofisë Artan Fuga dhe studioi komunikim, duke ia dalë në fund të ishte pjesë e rëndësishme e komunikimit publik të kryeministrit. Drejtori i Komunikimit të qeverisë është padyshim një nga njerëzit kyçë të Edi Ramës. Ai vetë nuk ka një profil dhe aq publik dhe as duket se interesohet për këtë pjesë, por ka fituar ndërkohë status dhe njohje jo të zakonshme, krahasimisht me të tjerë para tij në atë rol. Fuga ndërkohë akuzohet nga opozita si “Gebelsi” pranë kryeministrit dhe po ashtu si ideator i asaj që ata e shohin si spektakël politik apo prezencë e tepruar e shefit të qeverisë në media. Për të madje ka edhe akuza se manipulon vetë tituj gazetash apo lajme televizionesh.

Por ndërsa pozicioni i tij është i qartë në krah të qeverisë, xhaxhai i tij, profesori Artan Fuga edhe pse ka qenë i angazhuar në politikë si publicist, asnjëherë më parë nuk ka pasur qëndrime të qarta pro një pale. I njohur për një sërë librash rreth politikës, ndër të cilët më i njohuri: “Majtas Jo Djathtas”, i cili ua lë lexuesve të vendosin vetë presjen dhe një faqeje në rrjetet sociale Artan Fuga nuk ka pasur deri vonë një anësi partiake të lexueshme.

Në 2013 ai madje shkroi një artikull të gjatë sqarues rreth një keqkuptimi se kishte firmosur një peticion të shumicës së atëhershme. “Atje thosha se unë nuk i ‘fus hundët’ në punët e të tjerëve dhe nuk bëhem arbitër i sjelljes qytetare dhe politike të të tjerëve. Jemi një botë e lirë dhe secili merr pjesë në shoqëri me mënyrën e vet dhe kontribuon si e mendon”, shkruan profesor Fuga në atë sqarim. Por së fundmi, ai, duke u vendosur përballë nipit është bërë “shkruesi i vijës ideologjike” të opozitës.

Ai jo vetëm i ka bërë thirrje të tretëve të përfshihen në çadrën e ngritur para kryeministrisë, por haptazi ka marrë krahun e Bashës edhe para deputetëve skeptikë të PD-së, madje edhe një farë mbrojtjeje ndaj liderit të opozitës. “Fjala e tij para njerëzve të thjeshtë mbledhur në atë çadër është provokacion jo sepse thirri njëherë: ‘shponi gomat e atyre që bëjnë keq!’ – një shaka e thjeshtë si mijëra lapsuse që bëjnë studentët e mi”, shkruan Fuga në një postim në rrjetin social, duke anashkaluar me njëfarë “spini” pjesën tjetër emocionale të thirrjes, ku u përmendën edhe “tërheqje zvarrë” personash me emër e mbiemër. Përtej kësaj ai është bërë një prej mbështetësve më të zëshëm të opozitës. “Me Lulzim Bashën në çadrën e lirive politike (CLP) në fakt janë të gjithë politikanët veç disa anëtarëve të kabinetit, por askush ende nuk e artikulon dot përkrahjen ndaj tij. Por, kur diga të marrë ujë, të gjithë do të jenë dakord me të”, shkruan Fuga. Ai madje kritikoi ashpër deputetët e PD-së për frikë që të shfaqeshin në krah të Bashës. “Shiheni veten tuaj drejt e në sy dhe mbështesni kryetarin tuaj në Çadër për një republikë tjetër! Mjaft me alibira sepse keni shanse për të hyrë në histori!”, shkruan Fuga.

Qëndrimet e tij publike që e kanë vënë përballë Endri Fugës, nipit që ndodhet ndërkohë në godinën e kryeministrisë, duken si anekdota ilustruese më e mirë e situatës së një vendi të ndarë thellë politikisht.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.018630027770996
array(1) { ["section"]=> string(136) "fuga-kunder-fuges-si-nipi-ndoqi-vite-me-pare-keshillen-e-xhaxhait-dhe-sot-jane-vendosur-perballe-njeri-tjetrit-anekdota-ilustruese-70763" }