Gabimet e Ramës, akuzat për tërmetin, shembja e Teatrit dhe Stadiumit ‘Qemal Stafa’, deklaratat e bujshme të Maks Velos që trazuan opinionin publik

Publikuar tek: fcb-bomb, më 18:49 07-05-2020 Gabimet e Ramës, akuzat për tërmetin, shembja e Teatrit dhe Stadiumit ‘Qemal Stafa’, deklaratat e bujshme të Maks Velos që trazuan opinionin publik

Nga Liarda Kondakçiu,

Ditën e sotme u nda nga jeta piktori, arkitekti, studiuesi dhe shkrimtari i njohur Maks Velo, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Ai la pas një sërë botimesh si: ‘Kokëqethja’, ‘Palltoja e burgut’, ‘Thesi i burgut’, ‘Paralele për arkitekturën’, ‘Kohë antishenjë’, ‘Betonizimi i demokracisë’, ‘Hetimi’, ‘Spaçi’, ‘Jeta ime në figura’, ‘Klubi Karavasta’ ‘Përkthyesi’, ‘Jetë paralele’.  

Ndërsa si artist, ai krijoi në disa gjini të artit si: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte shumë i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.

E teksa përmendim këto të fundit, kujtojmë që Velo u përfshi gjerësisht në debate përmes deklaratave, të cilat nuk kaluan pa bërë zhurmë. Ato trazuan opinionin publik dhe do të kujtohen gjatë si nga më të bujshmet.

Maks Velo ka pranuar se ka qenë një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Edi Rama, me të cilin shkëmbenin ide dhe këshilla. Mirëpo, së fundmi, artisti iu bashkua shoqërisë civile, duke u kthyer në një nga kritikuesit më të drejtëpërdrejtë të Ramës dhe qeverisë së tij.

Maks Velo kundërshtoi shembjen e stadiumit ‘Qemal Stafa’, duke e cilësuar ndërtimin e ‘Air Albania’ një katastrofë. I ftuar në një emision, arkitekti u shpreh: ‘Nuk është larg shtatori dhe do shohësh se çfarë katastrofe është Qemal Stafa është e pariparueshme’.

Velo tha se kryeministri Edi Rama ka zhdukur pistën olimpike në stadiumin Qemal Stafa për të bërë dyqane.

‘Të marrësh një stadium ta bësh qendër tregtare, hotelerie, me një stadium të vogël ku kjo pjesa vjen 80% të investimit dhe ky të ishte stadiumi kombëtar i joni dhe të eliminosh pistën olimpike. Nuk kemi një pistë olimpike e zhduku Rama. Si është e mundur që ky njeri sportist zhduk pistën e atletikës për ta bërë dyqane.U mbush me dyqane. Toptani dy kate nuk funksionoi se ka super ngopje në dyqane dhe po të ishte dy kate më pak do të ishte shumë më mirë e harmonizuar me ambientin. Po pse i bëjnë. Vjedhin ajrin. Ne jemi gati të vjedhim çdo gjë edhe ajrin’, deklaroi Velo.

Maks Velo ka dalë në kundërshtim edhe me ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar. Edhe pse e vlerësoi projektin e arkitektit danez Ingels, Velo tha se ndërtesa aktuale mund të rikonstruktohet duke ruajtur ato vlera arkitektonike si i vetmi projekt futurist i ndërtuar në Shqipëri rreth 90 vjet më parë. 

‘Ajo ndërtesë ka jetuar dhe mund të jetojë. Do një rikonstruksion të plotë, të hapen muret, kollonat dhe të kryjet një rikonstruksion i plotë. Pse them të mbrohet? Ka vlera. Është e vetmja vepër e arkitekturës futuriste në Shqipëri, me atë konceptin e saj që futet thellë, principet dhe volumet, është e vetmja vepër e atij futurizmi të vonuar në Shqipëri. Është Banka, Bashkia, ministritë, Kryeministria, Teatri pastaj, janë një gjë me shumë rëndësi për qytetin, ka një strukturë, Bulevardi dhe këto janë krijuar strukturën. Stadiumi u prish dhe po prishëm edhe këtë, tërë kjo zinxhirë e arkitekturës italiane merr fund.

Skema si Teatër është shumë e mirë. Futesh nga kuota zero, është e vetmja ndërtesë në Tiranë. Futesh në një volum, te holli i parë, te holli i dytë dhe pastaj te salla dhe kur mbaron drama, ti del dalëngadalë nga salla. Asnjë Teatër i jonë nuk është kështu. Kemi ndërtuar pesë teatro në komunizëm. Krahasoji me këtë, asnjë s'është si ky. Projekti i Ingels është një projekt shumë i mirë. Por Teatri mund të rikonstruktohet. Historia jonë e artit është aty, nuk mund ta shembësh’, ishin fjalët e tija.

Më tej, ai vijoi me akuzat, duke u shprehur se ndryshimi i pozicionit të teatrit bëhet për të vjedhur territorin.

‘Nuk është punë e teatrit, këtu është për të vjedhur territorin. Unë jam dakord. Po të jetë ky territor 5.200 metra, i takon teatrit dhe ndërtohet teatër tjetër. Di teatër në botë ti, të qëndrojë në ajër. Ai teatri është në ajër. Poshtë kalohet dhe këtë poshtë që kalohet ai thotë që është teatër. Këtu nuk ka transparencë. Ne nuk e kemi projektin këtu në tavolinë dhe ta diskutojmë’, ka deklaruar Velo.

Në lidhje me këtë projekt, Velo ka thumbuar edhe ish-ministren e Kulturës Mirela Kumbaro në protestën e artistëve kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Maks Velo u shpreh se politikanëve shqiptarë ‘u erren sytë’ sa herë që bëhet fjalë për ndonjë pazar me fitime marramendëse.

‘Këta ndryshojnë menjëherë kur i vë aty. Ka qenë vajzë e mirë, e dashur, në momentin që e vë aty, ajo ndryshon. Ajo të nxin, të rrjep’, ka deklaruar ai.

Maks Velo gjithashtu ka dalë kundër ministres së Kulturës Elva Margariti për masakrat që i janë bërë arkitekturës, fillimisht tek tjetërsimi i bibliotekës 'Thimi Mitko' në Korçë, që edhe pse Petraq Kolevica është autori i saj, nuk është pyetur për të për të risjellë në kujtesë vlerësimin që po u bëhet edhe arkitektëve të tjerë në vend.

Gjatë përplasjes që pati me Margaritin, ai  i sugjeroi ministres, që t’u vlerësojnë njëherë veprën e autorëve, edhe pastaj të mendojnë për të ndarë çmime për ta.

‘Nuk mund të shkelet me këmbë kështu dinjiteti. Për çfarë vlerësimesh flisni ju për arkitektët, kur e merrni veprën edhe e ricikloni, e riformuloni. Me ç’të drejtë? A themi ne zonja ministre që në të drejtën e autorit futet edhe arkitekti? Për të bërë burg arkitekti duhet të shkojë. Për të riformuluar paratë i marrin të tjerët. Me ç’të drejtë? Përse nuk thirret arkitekti? Është e kot, politika e sotme është kaq agresive, kaq e pamëshirshme, kaq dritëshkurtër, kaq injorante, saqë po e dëmton në themel arkitekturën. Nuk e ke këtë gjë në asnjë vend të botës. A mund të më thuash në Paris një godinë që e riformuluan? Më thuaj një? Çdo godinë pastrohet edhe rigjenerohet që të qëndrojë. Janë gjërat skandaloze. Nuk mjaftojnë vetëm çmimet për arkitektët, edhe pastaj nga pas kurrizit t’ja shkatërroni veprat. Në radhë të parë duhet të shohin veprat, veprat janë çmimi më i madh. Edhe nga veprat dalin edhe çmimet e tjerë’, u drejtua arkitekti në atë kohë.

Së fundmi, Maks Velo hodhi një tjetër akuzë për dëmet katastrofike që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit në Durrës dhe zonat përreth.

Këtë herë Velo tha se shumë ndërtime në Shqipëri janë bërë në shkelje të kodit të ndërtimit, duke theksuar se rrëzimi i ndërtesave ka ndodhur për faj të kokës dhe jo për faj të tokës.

‘Unë mendoj se në këto ndërtesa janë bërë shkelje në kodin e ndërtimit. Kjo ndodh për faj të kokës dhe jo për faj të tokës. Shtresat janë një nga arsyet kryesore që e dobësojnë një ndërtesë, nëse një ndërtesë është projektuar për 5 kate, në Shqipëri bëhet 8 kate dhe kjo ndikon jo pak. Po ashtu janë dhe shumë faktorë në ne mund ti analizojmë, si marka e betonit, kolonat mbështetëse, fakti që shumë ndërtesa që ishin ngjitur me ndërtesat nuk kanë pësuar pasoja e konfirmojnë këtë gjë’, shprehu arkitekti.

Ai nuk ka nguruar të tregojë edhe gabimet e Ramës, gjatë kohës që ishte kryebashkiak i Tiranës. Velo ka cilësuar si një të tillë kullën e betonit, që është ndërtuar në kryeqytet.

Fjalët e Velos: ‘Ajo godina e betonit që është bërë karshi ortodokses ajo merr pjesë shumë në shesh. Shkatërron Bankën. Të duket sikur ngado të vërtitesh ajo të vjen sipër. Edhe te xhamia, edhe te Sahati, edhe te Ministria e Brendshme e ke sipër. Është shumë e fuqishme sepse është e llojit arkitekturë-skulpturë. Duhet studiuar mirë sepse ka një forcë të madhe vepruese dhe jo gjithmonë pozitive. Ishte një gabim dhe është një ndër gabimet e Ramës sepse Rama kështu bën, vendos vetë’.

Pavarësisht, gjithçkaje që tha dhe dëgjoi, Maks Velo do të mbetet gjatë në memorien e çdo shqiptari dhe jo vetëm. Rrënjët e tij tashmë janë pjesë e enciklopedisë botërore në Arkitekturë, ku përfshihen 140 arkitektët më në zë në të gjithë botën.

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.01074481010437
array(1) { ["section"]=> string(149) "gabimet-e-rames-akuzat-per-termetin-shembja-e-teatrit-dhe-stadiumit-qemal-stafa-deklaratat-e-bujshme-te-maks-velos-qe-trazuan-opinionin-publik-205559" }