Gazeta sllovene “Delo”: “Nëpër Shqipëri, çfarë bunkerësh, galeri moderne!”

Publikuar tek: aktualitet, më 16:23 02-07-2015 Gazeta sllovene “Delo”: “Nëpër Shqipëri, çfarë bunkerësh, galeri moderne!”

Gazeta sllovene “Delo” ka botuar një artikull për Shqipërinë ku shkruan se, vendi ynë tashmë  nuk është më një vend i varfër në Ballkan, ku njerëzit luftojnë për mbijetesën e tyre, por shumë shqiptarë janë kthyer nga jashtë, me arsim dhe të holla, duke u përpjekur për të realizuar në Shqipëri ëndrrat e tyre, transmeton Ata.

“Nëpër Shqipëri: çfarë bunkerësh, galeri moderne!”

“Shqipëria nuk është më një vend i varfër në Ballkan, ku njerëzit luftojnë për mbijetesën e tyre. Në të kundërt, shumë shqiptarë janë kthyer nga jashtë, me arsim dhe të holla, duke u përpjekur për të realizuar në Shqipëri ëndrrat e tyre. E kaluara e vështirë dëshmohet vetëm nga bunkerë të shpërndarë nëpër fusha, të ndërtuar në paranojën e Luftës së Ftohtë por, që tashmë, një pjesë e tyre janë kthyer në atraksione turistike, që tërheqin masivisht turistët evropianë.

Në Bllok, zona qëndrore e kryeqytetit, duket mes hekurave shtëpia e vjetër e diktatorit komunist E.Hoxha, i cili gjatë sundimit, që nga viti 1945 e shëndroi Shqipërinë një vend krejtësisht të izoluar nga bota, në një nga vendet më të varfra, në atë periudhë. Duket sikur nuk ka njeri ndër mend që ta prishë këtë shtëpi, duke e lënë aty ashtu siç është, të pa-ndryshuar, thjesht të harruar që ti mbijë bari. Hoxha e la vendin në një recesion të thellë, dhe që filloi ta marrë vehten në mesin e viteve nëntëdhjetë, dhe veçanërisht, në vitet e fundit.

Shqipëria sot është larg nga imazhet stereotipe të një Ballkani të pa-zhvilluar. Fjala shqiptar, edhe pse tek ne, vjen me një tjetër konotacion, në fakt e ka burimin e shpjegimit tek shqiponja, vendi i shqiponjave dhe shqiptarët e quajnë vehten bij të shqiponjës.

Një tjetër çudi e braktisur arkitektonike frymëzuese në mes të Tiranës është pramida e ndërtuar nga familjarët e Hoxhës, pas vdekjes së tij, si muze, por që më vonë u ndryshua destinacioni. Sot, ndërtesa monumentale e mbushur me mbishkrime përdoret nga fëmijët për argëtim. Duke folur për arkitekturën, një ndërtesë moderne është Skytoëer nga ku duket Tirana dhe fshatrat përreth e që i lë vend imagjinatës dhe shijeve të individëve. Ky këtë sfond panoramik një ndërtesë bardhë e blu, duket mjaft tërheqëse e që me siguri ndonjë ditë do të përfundojë në Lonely Planet.

Largohemi nga Tirana, ku është pak e vështirë të ecësh mes turmave, duke u përpjekur të kapësh rritmin e lëvizjes, dhe me trafik të madh, drejt Rivierës Shqiptare, drejt Durrësit, Dhërmiut dhe Himarës, në një autostradë të re, me hapësira të mjaftueshme për të gjitha llojet e lëvizjeve.

Ajo që bie në sy në këtë zonë janë ndërtimet e reja, hotelet fantastike, ndërtimi i të cilave përfundon në një kohë rekord. Përgjatë bregdetit shqiptar vijojnë ndërtimet. Uji i Detin Jon është si kristali.

Ndërkohë, lexojmë një artikull të gazetarit italian dhe shkrimtarit Roberto Saviano, që shkruan në lidhje me mafian italiane dhe shqiptare, bumin ekonomik në shtetin e vogël ballkanik, në modernizimin. Por ne si turistë, nuk kemi ndonjë problem me sigurinë. Njerëzit këtu në Himarë tregojnë se kanë punuar për shumë vite në Greqi dhe tani janë kthyer në vendlindjen e tyre ku merren me bizneset e tyre private, kryesisht hoteleri. Prodhimet vendase janë ato që përdoren kryesisht. Turistët zbresin nga Kroacia drejt bregdetit shqiptar. Na thanë se ka shumë turistë, kryesisht gjermanë dhe çekë. Këtu asgjë nuk mungon nga Kroacia madje çmimet janë më të favorshme. Realisht këtu dallon dashamirësi dhe mikpritje nga ana e njerëzve. Pronari i një prej restoranteve më të mira të fshatit pasi na sjell porosinë na thotë me buzëqeshje “karkalecat dhe rakia janë dhuratë nga lokali”.

Gjuha shqipe është e mrekullueshme. Ajo është gjuhë e vjetër ilire që nuk ngjason me asnjë gjuhë tjetër. Ka disa fjalë që për ne tingëllojnë të njëjta si “plazh” e “autoshkollë”. Fjalët që i dëgjon shpesh janë faleminderit dhe mirupafshim.

Me sa duket pija tradicionale e shqiptarëve është rakia. Gjithashtu shqiptarët pijnë shumë kafe, të zezë, të shkurtër, cilësore, që kushton më pak se 50 cent. Kafenetë i gjen kudo.

Në brendësi të vendit ndodhet një tjetër qytet i veçantë, Gjirokastra, qytet i lashtë me arkitekturë tipike turke, që është në listën e UNESCO-s. Në Gjirokastër kalojmë një pjesë të mirë të ditës, në kështjellë, në rrugët e ngushta prej guri, mes njerëzve të shumtë. Banorët flasin me krenari për qytetin e tyre, traditat, artizanatin e trashëguar brez pas brezi që e ruajnë akoma si burim të ardhurash dhe që e përdorin kryesisht për edukimin e fëmijëve të tyre.

Kafenetë në Tiranë janë mjaft moderne të dekoruara sipas stileve të fundit, plot lule, me muzikë pop, koktejle, të rinj të veshur sipas modës së fundit. Mbrëmjen e fundit takohemi me një mik nga Gjermania i cili na tha se vjen shpesh në Shqipëri pasi ka miq vendas. Së bashku me të dhe gjermanë të tjerë shkojmë të zbulojmë klubet e natës. Ndërkohë që shohim se ka shumë galeri për ekspozita dhe filma. Pra, nga gjithëçka që pamë, për një moment, na u duk vetja si të ishim në Berlin ose në ndonjë tjetër kryeqytet evropian. Edhe pse pimë pije të këndshme dhe birrë Heineken, unë dëshiroja të gjeja diçka Ballkanike, psh. raki që të më rrëzonte përtokë dhe të më bënte që të këndoja me zë të lartë … Por, jo! Ky është një tjetër stereotip që mesa duket unë duhet ta fshi nga koka!

Si, çfarë dhe sa? Deri në Tiranë është më lehtë të fluturosh nga aeroporti i Lubjanës, Bernik, për shkak se një fluturim i mirë merr vetëm një orë dhe bileta kushton nga 98 €. Udhëtimi në Shqipëri me transportin publik mund të jetë pak i vështirë kështu që është më mirë të marrësh një makinë me qera me çmimin nga 20 € në ditë.

Në këtë vend gjen një racion ushqimi me qofte, salcë kosi, simite dhe birrë me çmimin 3 € për person. Ushqim tipik shqiptar janë byreku, qoftet, lloje të ndryshme të mishit, kryesisht qingji dhe viçi. Ndjehet ndikimi nga guzhina greke. Ndër ëmbëlsirat tipike është bakllavaja dhe akullorja shtëpiake. Dhomat dyshe në shtëpitë dhe hotelet kushtojnë rreth 25 € për natë, me mëngjes. Dhomat janë të pastra, organizimi i mirë, njerëzit janë shumë miqësorë dhe ndihmues”.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « “Grupi i zjarrit" në Lazarat, Gjykata jep arrest në burg për Dritan Shurdhin
Policia procedim penal për 5 pronarë restorantesh, nuk përdornin kasën fiskale »
Article Logic
Execution time: 0.01065993309021
array(1) { ["section"]=> string(72) "gazeta-sllovene-delo-neper-shqiperi-cfare-bunkeresh-galeri-moderne-15203" }