Gazmorja më gazmore, ndëshkimi i Mesila Dodës nga PD

Publikuar tek: analiza-komente, më 15:03 14-04-2015 Gazmorja më gazmore, ndëshkimi i Mesila Dodës nga PD

Janë mijëra ata që lexojnë  gazmoret që peshkoj dhe servir unë në këto faqe ‘’Fejsbuku’. Dhe gëzohem që miqtë e mi i pëlqejnë, i vlerësojnë dhe u pëlqen morali i tyre, bukuria estetike e formulimit të tyre dhe janë plotësisht dakord me përqeshjen e shëmtimit që ka fb, tradhëtia bashkëshortore, që ka dyfytyrësia dhe të menduarit me mendje të drunjta.

Por miqve të mi lexues u pëlqen sidomos shkurtësia…

Mund të jenë dakord me ty kur shkruan gjatë, por nuk kanë kohë të ndalen aq shumë e të vrasin mendjen, kur u duhet për ta vrarë për plot gjëra të tjera të halleve vetjake.

Më pëlqen edhe mua tej mase shkurtësia, por të them të drejtën më trishton kur në treguesit e faqes shoh për gazmoret gjashtë mijë lexues dhe nganjëherë edhe dyfishin e tyre, kurse në shkrimet paksa të gjatë, të mitë, ose të kolegëve që sjell unë, mezi e kalojnë mijëshen.

Ja, sot unë dua të drejtoj vëmendjen mbi një gjë më gazmore, se gazmoret e derisotme: grupi parlamentar i PD-së ka ndëshkuar deputeten e vet, zonjën Mesila Doda, sepse ka guxuar të mendojë dhe të veprojë me mendjen e vet! Ka dalë nga rreshtat e kompanisë dhe ka votuar kundër dy cubave milionerë që për të venë ato miliona akuzohen se kanë vrarë, kanë ushtruar dhunë, kanë sajuar komplote e sidomos kanë ushtruar biznesin famëkeq të shitjes të përnatshme të femrave shqiptare në tregjet e semaforëve të Europës.

Zonja Doda vetë, në faqet e shtypit të sotëm, e shpjegon bukur gjestin e saj të lirë dhe rebelimin e saj brenda njërës nga kompanitë ushtarake të deputetëve. Një zonjë deputete, një grua me përvojë politike, nuk lejohet të bëjë veprime individuale, pengohet të dalë kundër frymës së kolektivit, kur është dakord me nismën për heqjen e mburojës së imunitetit që para do kohësh ndërmerr partia e vet dhe bile ndëshkohet kur ajo voton sipas asaj nisme ngaqë urdhri i ri thotë “prapaktheu!”

Ky është tmerr i tmerreve duke qenë ndërkohë gazmorja më gazmore!

Unë sot kam dëshirë të ekspozoj një shkrim tjetër timin, mbi këtë temë, publikuar para dy vjetësh dhe që u drejtohet më shumë 140 deputetëve të ndarë më dysh, por që të caktuar nga dy komandantët e partive, kanë ardhur në një Kuvend, ku nuk të lenë të kuvendosh!

Shkrimi, (për fat të mirë, timin dhe tuajin, nuk është i gjatë!) titullohet “Përse 140 dhe jo vetëm 2?!”

E që ta shpluhuros pas pak këtë, i detyrohem gjestit të bukur të zonjës Doda, së cilës i shfaq mirënjohje dhe respekt të thellë!

Marrë nga profili në ‘’Facebook’’. Titulli redaksional

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.027912855148315
array(1) { ["section"]=> string(56) "gazmorja-me-gazmore-ndeshkimi-i-mesila-dodes-nga-pd-8695" }