Genc Ferhati, i dyshuar si kreu i grupit të gjobëvënësve ndaj biznesmenit të kafesë J.B, e ka mohuar akuzën.
“Me Genc Ferhatin nuk ka luajtur njeri kur ka qenë 20 vjeç, jo tani që është 37’’, u ka thënë gjyqtarëve Ferhati, siç raporton ‘’Panorama’’.
Sipas Ferhatit, biznesmeni u detyrohej familjarëve të tij një shumë prej 12 mijë e 600 eurosh, dhënë gjatë viteve të fundit në formën e bashkëinvestimit në biznes të bazuara të gjitha në kontrata noteriale.
‘’Janë nënshkruar tri kontrata noteriale’’, ka thënë Ferhati, duke shtuar se njëherë biznesmeni ka shkuar në burg për ta takuar ku kanë biseduar për këtë problem. Edhe Pajtim Serjani e ka mohuar akuzën, duke thënë që nuk ka lidhje.
‘’Nuk kam asnjë lidhje me akuzën që thotë prokurori. Unë me biznesmenin kam njohje prej kohësh, pasi punojmë bashkë. Nuk është e vërtetë t’I kem bërë tortura apo ushtruar dhunë’’, u ka thënë gjykatësve Serjani.
Pesë të dyshuarit, arrestuar ditë më parë, janë lënë në burg. Genci Ferhati, Arianit Luli, Klevis Kardashi, Pajtim Serjani dhe Ditmar Reçi akuzohen për ‘’shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në bashkëpunim’’.