Genc Ferhati ka treguar nga burgu versionin e tij të çështjes së gjobëvënies së dyshuar ndaj biznesmenit Julian Bregu.
Ferhati, i dënuar për ekzekutimin me antitank të Denis Ginës dhe Median Shehut, është duke vuajtur dënimin, por njëkohësisht është akuzuar këto ditë si kreu i një grupi gjobëvënësish duke kanosur me jetë nga burgu nëpërmjet ‘’Skype’’-it biznesmenin.
Ferhati mohon të ketë kanosur biznesmenin si dhe thotë se nuk disponon asnjë mjet teknologjik në burg. Ai e quan të gjithë këtë histori si jo të vërtetë dhe se pas biznesmenit fshihen persona të tjerë që nuk duan ta shohin të lirë. Ferhati thotë se Bregu i ka patur para borxh babait të tij, të cilat nuk ia ka kthyer.
‘’Për dy vite me radhë Juliani është sjellë shumë korrekt. Por 4-5 muajt e fundit, ai i dërgonte shumë të vogla babait tim, duke mos u sjellë korrekt me fitimet. Duke qenë në të tillë situatë, vendosa që t’i dërgoj vëllait tim që t’i thoshte Julianit: ‘’Lali të thotë t’i kthesh paratë babit’’. Fillimisht babai është bërë ortak në shumën e 7500 eurosh, që i janë dorëzuar Julianit me kontratë noteriale. Më pas i ka dhënë një shumë tjetër prej 12600 eurosh. Po me kontratë noteriale i janë dorëzuar edhe 12.600 euro dhe 3 mijë dollarë amerikanë’’, tregon nga burgu për “Gazetën Shqiptare’’, Genc Ferhati.