Me betimin e kryebashkiakut të ri socialist Safet Gjici për Kukësin ka nisur aksioni i pastrimit të plehrave në të gjithë qytetin, ashtu si edhe në disa qytete të tjera.
Për këtë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook, ku sulmon ish-kryebashkiakun demokrat Bashkim Shehun.
Rama e akuzon Shehun se e kishte kthyer bashkinë në stacion autobuzi që sipas tij merrej me organizimin e qytetarëve në protestat e opozitës dhe linte mënjanë plehrat nëpër qytet.
"Me ikjen e kryetarit të Kukësit, që e kishte katandisur bashkinë në një stacion autobuzi, nga ku vejevinin për Tiranë punonjësit e kthyer në protestues të Lëvizjes #RamaIk, po ikin edhe kodrat me plehra nëpër qytet, falë rikthimit të pushtetit vendor në shërbim të qytetarëve dhe rikthimit në duart e punonjësve të mjeteve të pastrimit, në vend të molotovëve e të gurëve të revolucionit imagjina", shkruan Rama krahas fotove të aksionit të pastrimit.