Shpëtim Gjika ka lënë sot shtratin e spitalit për t’u paraqitur në Prokurorinë e Vlorës. Kryetari I Bashkisë së Vlorës duket se ka patur përmirësime shëndetësore, pasi ka lënë spitalin, ku ishte shtruar si pasojë e shqetësimeve në zemër, në orët e para të arrestimit të tij për ‘’Shpërdorim Detyre’’.
Gjika është paraqitur tek prokurorët e Vlorës për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre, në lidhje me çështjen ngarkuar ndaj tij, për dhënien e lejës në ndërtimin e një pallati 11-katësh në qendër të Vlorës, për të cilin prokurorët dyshojnë se e ka dhënë në kundërshtim me ligjin.
Prej disa minutash Gjika po flet me prokurorët. Së bashku me të ditë më parë u arrestua edhe pronari I pallatit të ndërtuar Artur Haxhi si dhe shefja e Urbanistikës Dorjana Sula.
Pas arrestimit prokurorët shkuan në zyrën e Gjikës, në kohën kur ai ndodhej në spital dhe shqyen derën për të hyrë në të. Ata nuk gjetën asnjë dokument në lidhje me çështjen, si dokument letër, po ashtu edhe kompjuterik.