Janë mbledhur të martën në një tryezë ministrin e Energjitikës, Damian Gjiknuri, specialistë të fushës dhe përfaqësues të kompanive investitore, MEI dhe Socar në lidhje më projektin e gazifikimit të Shqipërisë.
“Po punojmë që të kemi një plan për tregun e gazit në Shqipëri, pasi ka një interes të madh për përdorimin e gazit si nga familjet, ashtu edhe nga shumë industri. Gjithashtu, kërkesat e Evropës për gaz janë shumë të mëdha”, ka thënë Gjiknuri.
Përfaqësuesi i kompanisë azere Socar, Ibrahim Idarov, e cilësoi si shumë të rëndësishëm projektin për gazifikimin e Shqipërisë. “Shqipëria është një vend mjaft i rëndësishëm për shtrirjen e këtij projekti, zbatimi i të cilit hap vende të reja pune në vendet ku kalon”, tha Idarov.