Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri në një deklaratë për media ku ka folur për nevojën e mirëmbajtjes së rrugëve dha alarmin për degradimin e rrugës Tiranë-Durrës.
Ministri tha se qeveria do ndërhyjë këtë vit te kjo rrugë përmes një shtrese asfalti e cila kërkon minimalisht 11 milion euro por siç u shpreh ai, kjo rrugë ka nevojë për një ndërhyrje “në trup” të saj.
“Ka degraduar rruga Tiranë-Durrës, do një rindërtim nga e para. Ne kemi marrë masat për riveshje të asfaltit por për qendrueshmëri afatgjatë duhen, 20-30 milion euro minimalisht, po bëhet studimi. Vetëm për riveshjen do harxhojmë 11 milion euro, të paktën për disa vjet. Po imagjinoni ndërhyrjet në trupin e rrugës që ka degraduar”, tha Gjinkuri i cili shtoi se nevoja për mirëmbajtje përfshin edhe rrugë të tjera.
“Mjaftton t’ju kujtoj rrugën Tiranë-Elbasan, për rrëshqitjen e fundit, kostoja është mbi 4 milion euro. Kjo do të thotë mos ndërhysh në kohë.
Nuk është shpikje e qeverisë Rama. Kur financimet janë të limitura, ruajtja e rrugëve ekzistuese, është me intervale të rregullta, ndryshe dëmi do jetë shumë i madh.
15 mijë kilometra rrugë ka rrjeti kombëtar, sipas studimit të Bankës Botërore, mirëmbajtja e 3900 km rrugë nacionale kërkon për 5 vite 320 milion euro. Kjo është kosto e mirëmbajtjes së rrugëve.
Shqipëria nuk ka një plan mirëmbajtjesh të rrugëve, në 2015-ën filloi sensibilizimi”, u shpreh ministri i Ramës.