''Arrest me burg'' për Durim Bamin. Kjo është masa e sigurisë që ka dhënë sot Gjykata e Lartë. Bami është paraqitur në mëngjes në Gjykatën e Lartë. Ai ka qenë ‘’dëshmitari kyç’’ sipas Tom Doshit, për akuzat që deputeti bëri në adresë të Ilir Metës se kishte porositur vrasjen e tij.
Fillimisht Bami u akuzua për ‘’vrasje të mbetur në tentativë’’, por me rrjedhën që mori çështja, akuzat ndaj tij janë lehtësuar ‘’Kallëzim i rremë’’ dhe ‘’deklarim i rremë’’. Gjyqtarët janë vendosur me short që të shtunën dhe në trupën gjykuese ishin Majlinda Andrea, Guxim Zenelaj, Admir Thanza, Artan Zeneli dhe relator Aleksandër Muskaj.
Tom Doshi ka deklaruar në Këshillin e Mandateve se Bami është kërcënuar me jetën e fëmijëve të tij në polici nga efektivë të forcave speciale për të mos mbështetur versionin e Doshit. Deputeti paraqiti si provë në prokurori një video të Bamit në zyrën e tij, ku ai deklaronte se ishte porositur vrasja e Doshit dhe se Bami ishte pajtuar për ta ekzekutuar.
Në polici Bami e mohoi këtë version. Deputeti Doshi që akuzohet për ngjarje të sajuar, ndodhet aktualisht në ‘’arrest shtëpie’’. Kuvendi autorizoi prokurorinë ta arrestonte, por Gjykata e Lartë I dha masën e sigurisë ‘’arrest shtëpie’’, pas arrestimit nga policia e Tiranës.