Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka përfunduar gjykimin e një kapitulli të dosjes “339” duke dhënë 40.8 vite burg për 8 të pandehurit për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Bëhet fjalë për një grup prej tetë personash të arresuar dy vite më parë, me në krye Ramadan Dushajn, i cili maskonte pordhimin dhe trafikun e narkotikëve në një magazinë fruta-perimesh.
Mes të dënuarve është edhe ish-kampioni i botës në mundje, shkodrani Elis Guri.
Megjithatë GJKKO ka vendosur të rrëzojë akuzën për “grup të strukturuar kriminal” duke pranuar edhe gjykimin e shkurtuar për të pandehurit, të cilët janë dënuar nga 6 deri në 4.4 vite për akuzën e prodhimit dhe shitjes të lëndëve narkotike.
Dënimet e dhëna nga GJKKO:
Ramadan Dushaj, 6 vjet burg
Rezart Cacani, 6 vjet burg
Neritan Saraci, 4.8 vjet burg
Ardit Haxhagiqi, 5.4 vjet burg
Vilson Noka, 4.4 vjet burg
Fatbardh Gostini, 5 vjet burg
Elis Guri, 4.8 vjet burg
Luan Boca, 4.8 vjet burg
Çfarë u zbulua gjatë operacionit të policisë në 2018-ën:
Në datën 7 qershor 2018 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër regjistroi procedimin penal mbi bazën e infomacionit të dhënë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër se shtetasi Ramadan Mustaf Dushaj, i datëlindjes 03.10.1957 lindur dhe banues në fshatin Dobre të Malësisë së Madhe, organizonte veprimtari për financimin dhe transportin e lëndëve narkotike (marijuanë) në Qarkun e Shkodrës.
Nga infomacioni i marrë në rrugë operative ka rezultuar se shtetasi në fjalë kamuflonte veprimtarinë e paligjshme të tregtimit të lëndëve narkotike me aktivitet të grumbullimit dhe shitjes së produkteve bujqësore.
Sipas informacionit, shtetasi në fjalë kishte grumbulluar sasi të konsiderueshme lënde narkotike, për të cilën kërkonte treg shitjeje. Për këtë qëllim shtetasi Ramadan Dushaj mbante me vete mostra të lëndës narkotike, të cilën kërkonte ta shiste.