Gjykata e shpalli të pafajshëm për aferën me CEZ, reagon Shkëlzen Berisha: Rama orkestroi gjithçka, largimi i CEZ u kushtoi shqiptarëve 600 milion euro

Publikuar tek: aktualitet, më 15:43 25-01-2020 Gjykata e shpalli të pafajshëm për aferën me CEZ, reagon Shkëlzen Berisha: Rama orkestroi gjithçka, largimi i CEZ u kushtoi shqiptarëve 600 milion euro Shkelzen Berisha

Pasi gjykata vendosi pushimin e çështjes së famshme CEZ për privatizimin e O.S.SH, ku i akuzuar ishte edhe Shkëlzen Berisha, ka reaguar ky i fundit duke ia faturuar gjithçka Ramës, nga orkestrimi i padisë dhe deri te 600 milionë eurot që humbi shteti shqiptar pas largimit të CEZ.

Lidhur me procedurën e privatizimit të OSSH nga kompania çeke CEZ në vitin 2007, që ishte konsideruar si korruptive, ishte ngritur edhe një Komision Hetimor Parlamentar ku dëshmuan ish-zyrtarë të lartë demokratë, ndër ta ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli.

Komisioni Parlamentar që drejtohej nga Taulant Balla, arriti në konkluzionin se nga privatizimi korruptiv i ishte shkaktuar një dëm shtetit prej 414 milionë eurosh.

Ndërsa në 27 dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi iu drejtua me një letër Gjykatës së Tiranës ku i kërkonte shpalljen e moskopetencës për këtë çështje, në mënyrë që ajo t’i kalonte SPAK-ut.

Gjyqtari Lulzim Sallaku dha vendimin për pushimin e kësaj çështje duke vendosur pushimin e saj, pasi nga hetimet e kryera nuk u gjet asnjë vepër penale.

Reagimi i plotë:

“Të dashur miq,

Dje gjykata me kërkesë të prokurorisë vendosi rrëzimin e padisë së Grupit Parlamentar të PS (pra të Edi Ramës) pasi e gjeti pa prova, pa fakte e të pabazuar në ligj.

I njëjti gjykatës, që pa asnjë provë apo fakt para dy vjetësh, nën presionin politik, urdhëroi marrjen e dëshmisë time, duke e kaluar barrën e provës nga akuzuesi tek i akuzuari, u detyrua të pranojë konkluzionin e prokurorisë (për të dytën herë) se akuza e ngritur nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste nuk mbështetej në prova, por në shpifje, duke vërtetuar në fakt atë që dihej: ky qe thjesht një sulm i pastër dhe i paprecedent politik.

I gjithë hetimi e posaçërisht provat e mbledhura nga autoritetet çeke me kërkesë të prokurorisë, dhanë përgjigje shteruese se Shkëlzen Berisha nuk ka patur lidhje me CEZ, as fizikisht, as elektronikisht e në asnjë lloj forme tjetër.

Shkëlzen Berisha, u akuzua dhe kallëzua me urdhër të Edi Ramës nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste (e paprecedentë në 30 vjet politikë që parlamenti të thërrasë e kallëzojë familjarët e kundërshtarëve politikë) për ndikim të paligjshëm në një proces me të cilin nuk kisha kurrfarë lidhje, pa ASNJË prove apo fakt (sikundër provohet nga vendimi i gjykatës dhe prokurorisë).

Sot kur përgjigjet nga Çekia provojnë përtej çdo dyshimi se unë, nuk kam udhëtuar në Çeki as në kohën dhe as me personat e pretenduar, as për CEZ e as për ndonjë çështje tjetër, sot kur emaili i famshëm mohohet të jetë nisur apo dhe që të ketë ekzistuar, pikërisht nga ata që prezumohet se e kanë nisur, sot kur pas kontrollove të llogarive bankare, tabulateve telefonike e sistemit TIMS, Shkëlzen Berishës nuk i del asnjë lidhje direkte apo indirekte me këtë çështje apo me personat e lidhur me të, nuk mund të mos shtroj pyetjen: Për cilën arsye jam thirrur për të dëshmuar 4 herë para një komisioni parlamentar dhe një herë para prokurorisë?

Edi Rama orkestroi thirrjen time 4 herë në komisionin e tij parlamentar dhe më pas padinë në prokurori me qëllimin e vetëm, se do mund të mbulonte akuzën tashmë të njohur botërisht për korrupsion e tij dhe ministrave te tij, në procesin e largimit të CEZ nga Shqipëria, që sipas dokumenteve të KLSH-së, u kushtoi qytetarëve shqiptarë plot 600 mln euro (pa llogaritur dëmet me të cilat kjo faturë rritet disa herë).

A është normale që Parlamenti i Shqipërisë të shpërdorohet e abuzohet në këtë mënyrë për të goditur jo vetëm kundërshtarët politikë, por dhe familjaret e tyre pa asnjë provë apo fakt?

A është normale që një gjykatë apo prokurori nën presionin politik, të thërrasë një qytetar për të dëshmuar para se të administrojë në mënyrë të ligjshme prova që prezumohet se kanë shërbyer si indicie se ky qytetar mund të ketë patur dijeni për rrethana të caktuara?

Dje gjykata me kërkesë të prokurorisë vendosi të rrëzojë akuzën e Edi Ramës si politike e të pabazuar në ligj, por kjo nuk është drejtësi!

Drejtësi do të ketë ditën kur, regjisori dhe zbatuesi i këtij teatri të shëmtuar e bajat të përballen me ligjin jo vetëm për koncesionet korruptive dhe shpërblimet e trafikantëve të drogës që u financojnë pushimet ne kembim te tenderave, jo vetëm për “përlarjen” e 600 milionë eurove në marrëveshjen korruptive te largimit te CEZ nga Shqipëria, por dhe për shpërdorimin e detyrës e konkretisht atë të instrumentalizimit të Parlamentit të Shqipërisë dhe drejtësisë si “armë” kundër familjarëve të kundërshtarëve politikë.”

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0072300434112549
array(1) { ["section"]=> string(155) "gjykata-e-shpalli-te-pafajshem-per-aferen-me-cez-reagon-shkelzen-berisha-rama-orkestroi-gjithcka-largimi-i-cez-u-kushtoi-shqiptareve-600-milion-euro-193129" }