Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shkarkon nga detyra gjyqtarin e përkohshëm të SPAK, Bib Ndreca. Procesi i rivlerësimit ndaj tij u krye nga trupa e përbërë nga Xhensila Pine, Etleda Çiftja dhe Pamela Qirko.
Gjyqtari Bib Ndreca ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Tropojës. Në vitin 2013, Ndreca është emëruar kryetar i Gjykatës së Pukës, ndërsa në vitin 2015 është dekretuar si anëtar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Ndreca ishte gjyqtar i përkohshëm në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për një emërim të përhershëm, atij i duhet të kalonte me sukses procesin e vetingut.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.