Gjyqtari Lazaj: Ja pse m’u anulua viza nga Ambasada e SHBA

Publikuar tek: aktualitet, më 21:39 02-02-2017 Gjyqtari Lazaj: Ja pse m’u anulua viza nga Ambasada e SHBA

Mes dhjetra emrash gjyqtarësh dhe prokurorësh, në atë që po quhet si “lista e zezë e vizave” të Ambasadës Amerikane, të cilëve u anulohet apo u refuzohet hyrja në SHBA, është edhe gjyqtari i Shkallës së Parë të Tiranës, Artan Lazaj.

Lazaj ishte i ftuar këtë të enjte në Top Story ku foli për përvojën e tij personale sesi e mori vesh që nuk i lejohej më të hynte në SHBA.

“Lajmin e mësova ditën e enjte. Të mërkurën u telefonova nga Ambasada Amerikane dhe më thanë se më kërkoi konsulli një takim. Kujtoja se do të flitej për reformën në drejtëi me konsullin, por u përballa me një nëpunës, bashkë me shumë kolegë të tjerë. Ajo listë është shumë më e gjatë. Janë mbi 70 mesa di unë. Më kërkuan pasaportën dhe pas disa minutave ma kthyen dhe më thanë që viza është refuzuar me shkakun “kemi disa informacione”, tha ai.

Gjyqtari Lazaj tha se kishte një vizë 3-vjeçare dhe se kishte udhëtuar edhe dy herë të tjera më parë në SHBA.

“Do të ishte hera e tretë që do të udhëtoja në Amerikë. Mua më anuluan vizën, familjes jo. Çudia ime janë arsyet se të fton konsulli dhe të pret nëpunësi i thjeshtë i ambasadës dhe mënyra joetike e të sjellurit”, sqaroi gjyqtari.

Ai tha se ka ushtruar detyrën me ndërshmëri për 23 vite dhe se nuk e sheh veten tek “arsyet e Ambasadës për refuzim vize”.

“Unë nuk e shoh veten tek ato shkaqet që thotë Ambasada Amerikane për refuzimin e vizave. Nuk di të kem ndonjë shkelje në detyre për 23 vite gjyqtar. Nuk kam asnjë masë disiplinore ndaj meje”, deklaroi Lazaj.

Gjyqtari tha se është një ndër mbështetësit e reformës në drejtësi.

“Unë e kam mbështetur reformën në drejtësi dhe kam qenë ndër ata që e kam quajtur “reformë e reformave”. Jam partizan i kësaj ideje. Nëse reforma në drejtësi do të ketë sukses, gjërat në Shqipëri do të ecin shumë mirë. Kam qenë aktiv në takimet, konsultimet dhe takime të ndryshme për reformën”, u shpreh ai.

Lazaj tha se ka kolegë që nuk e meritojnë të jenë në sistemin e drejtësisë, por kërkoi që të mos përgjithësohen.

“Nuk duhet të ngatërrohen të gjithë, jo të futen të gjithë në një thes. Shoqëria jonë është një shoqëri e sëmurë, si gazetaria, qeverisja qendrore, vendore, mjekësia e të tjera. Drejtësia është fundi i hallkës, ku përplasen të gjitha problematikat e këtij vendi, por është pjesa më e rëndësishme. Ka nga ata kolegë që e meritojnë të mos jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, pastaj nëse duhet të jenë të vlefshëm për viza në Amerikë, këtë se vendos unë. Ka të paaftë, ka të korruptuar, por një pjesë e shëndoshë e sistemit është goxha e ndershme dhe profesioniste”, deklaroi Lazaj.

Gjyqtari tha se u ndje i habitur kur në ambasadë iu hoqën vizat edhe tre gjyqtarëve të tjerë, që kanë dalë në pension.

“Njëri prej tyre kishte edhe Green Card dhe iu hoq Green Card-i”, u shpreh ai.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Llalla: Bashkëshortja e gjyqtarit që “rrëzoi” sekuestrimin e serverit të “ILDKPI” punon në Ambasadën e SHBA
Deklarata "bombë" e Llallës: Biznesmeni shqiptar i naftës më solli ambasadorin Lu në zyrë, ushtruan shantazh »
Article Logic
Execution time: 0.011375904083252
array(1) { ["section"]=> string(63) "gjyqtari-lazaj-ja-pse-m-u-anulua-viza-nga-ambasada-e-shba-67538" }