Gjyqtarja e Tiranës në 'sitën' e Vettingut, KPK ngre pikëpyetje mbi pasurinë dhe profesionalizmin

Publikuar tek: aktualitet, më 20:09 24-06-2019 Gjyqtarja e Tiranës në 'sitën' e Vettingut, KPK ngre pikëpyetje mbi pasurinë dhe profesionalizmin Rivlerësimi i gjyqtares Regleta Panajoti | Foto : Vladimir Karaj

Mungesa e të ardhurave për të kryer disa blerje në pasuri të patundshme dhe një prej denoncimeve nga publiku, u dukën si problemet kryesore gjatë seancës dëgjimore ndaj gjyqtares së Gjykatës së Tiranës Regleta Panajoti.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Panajotin përbëhet nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Valbona Sanxhaktari, anëtare dhe Lulzim Hamitaj relator, theksuan se ndaj kandidates për një nga vendet në Gjykatën Kushtetuese ishte bërë hetimi në të tre kriteret.

Sipas relatimit Panajotit i mungonin 3.9 milion lekë për të justifikuar investimet e bëra, ndërsa nga një prej denoncimeve u gjet se një vendim i një trupe gjykuese në të cilën ajo ishte pjesë për pjesëtim pasurie, kishte probleme.

Panajoti kundërshtoi gjatë fjalës së saj qëndrimin e KPK mbi deklarimin e kursimeve cash në vite, duke thënë se nuk kishte pasur detyrim ligjor t’i deklaronte ato. Ajo tha se kishte sjellë prova për të treguar punën e bashkëshortit në emigracion dhe këmbënguli që ato të ardhura të deklaroheshin të ligjshme.

Regleta Panajoti e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej gati dy dekadash në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë. Ajo ka kandiduar në dy thirrje të hapura për të plotësuar vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që procesi i vlerësimit të kandidatëve është duke u kryer nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Rivlerësimi i pasurive

Relatori i çështjes Lulzim Hamitaj vuri në dukje një sërë gjetjesh të KPK në procesin e rivlerësimit të Panajotit. Hamitaj përmendi ndër të tjera se pas hetimit kishte rezultuar se për një apartament 104 metra pranë rrugës së Durrësit në Tiranë “dukej se ajo dhe i shoqi kanë pasur mungesë burimesh financiare për të përballuar çmimin e plotë për të blerë këtë apartament”.

Sipas relatorit Panajoti kishte deklaruar për veting të ardhura nga emigracioni në shumën 3.5 milion lekë. Hamitaj tha se ishin kërkuar sqarime për periudhën e punës në Greqi dhe se Panajoti kishte sjellë shpjegimet e saj dhe argumente e dokumente.

Deklarimi si burim për këtë pasuri të të ardhurave nga biznesi i të shoqit në Gjirokastër po ashtu u gjetën nga hetimi me probleme. Sipas relatori kompania në fjalë nuk kishte ndarë divident dhe nuk rezultonin fitime të deklaruara në tatime. Hamitaj tha se kishin marrë shpjegime nga Panajoti mbi këtë problem.

Duke nënkuptuar se kjo mungesë burimesh për apartamentin në fjalë dhe për një apartament të dytë, kishte të bënte kryesisht me faktin nëse merreshin në konsideratë apo jo të ardhurat nga emigracioni, Panajoti i tha KPK se kishte sjellë prova për të dëshmuar këtë.

Ajo foli me detaje duke përmendur ndër të tjera faktin se në kohën kur ajo pretendonte që bashkëshorti kishte punuar në Greqi emigrant, fëmija i tyre kishte kryer vizita mjekësore në Veria të Greqisë.

Panajoti përmendi po ashtu dokumente punësimi të bashkëshortit dhe një libër shëndeti fëmije të lëshuara nga shteti grek të cilat i viheshin në dispozicion KPK. Ajo tregoi ekzistencën e një llogarie bankare në një bankë të nivelit të dytë, paratë në të cilën ishin depozituar me përshkrimin: ‘para të fituara në emigracion.’ Panajoti këmbënguli se emigracioni kishte qenë për ta një përpjekje për ekzistencë dhe se kjo duhej mbajtur në konsideratë.

Një sërë pasurish të gjyqtares të përfituara prej trashëgimisë së saj nga nëna apo prej të afërmve të bashkëshortit u provuan pa probleme gjatë hetimit nga KPK.

Megjithatë Komisioni ngriti një sërë pikëpyetjesh mbi kursimet e deklaruara nga gjyqtarja. KPK vuri në dukje se ajo nuk kishte deklaruar kursime cash deri në vitin 2016 dhe në këtë vit kishte deklaruar 3500 euro. Këto kursime ishin të justifikuara sipas relatorit Hamitaj. Por në deklaratën veting, Panajoti kishte shtuar se si vlerë cash kishte një shumë prej 5500 euro.

Hamitaj vuri në dukje se diferenca në kohë prej deklarimit të vitit 2016 deri në deklarimin veting nuk ia kishte mundësuar Panajotit kursimin e shtesës prej 2 mijë euro. Ai tha se gjyqtarja kishte sjellë shpjegime për këtë rast.

Po ashtu ai vuri në dukje se një shumë prej 12 mijë USD që ishte depozituar dhe tërhequr nga banka në vitin 2007 e padeklaruar në atë kohë dhe e deklaruar pas kërkesës nga KPK në veting, nuk rezultoi të kishte burime. Ngjashm,  KPK vuri në dukje se Panajoti kishte deklaruar si burime të kursimeve, shuma parash që ishin deklaruar si të përdorura më parë në transaksione të tjera.

Hamitaj theksoi se gjyqtares sipas analizës financiare të KPK i mungonin 3.9 milion lekë për të kryer investimet dhe realizuar kursimet e deklaruara prej saj.

Panajoti u fokusua gjatë në vlerësimin e kursimeve të familjes. Ajo bëri një pasqyrë të detajuar të të ardhurave të saj dhe të bashkëshortit, ndërsa këmbënguli se mosdeklarimi i gjendjes cash në vite nuk mund të konsiderohej penalizues.

Gjyqtarja deklaroi se megjithëse nuk ishte deklaruar kjo shumë kishte ekzistuar. Sipas ligjit tha ajo shuma cash nuk kishte qenë detyrim për deklarim deri në vitin 2014. Ajo tha se ky detyrim ishte përfshirë specifikisht në vitin 2014, duke kërkuar deklarimin e të ardhurave “jashtë sistemit bankar”.

Ajo tha se nuk kishte pasur asnjë pengesë për të mos i deklaruar kursimet cash, por këmbënguli se ato vinin nga burime të ligjshme si pagat.

Panajoti i kërkoi KPK që të konsideronte si mundësi kursimi të saj dhe bashkëshortit shumën e të ardhurave të tyre që mbetej pas zbritjes së shpenzimeve minimale jetike për vitet (2002-2007) për të cilat ishte bërë analiza. Sipas saj vetëm nga këto të ardhura ajo dhe bashkëshorti kishin pasur mundësi të kursenin 64 mijë euro, duke konsideruar si shpenzime për këtë periudhë vetëm shumë prej rreth 4 milion lekësh.

Në fjalën e saj Panajoti përmendi dy vendime të KPK që sipas saj mbështesnin atë në qëndrim. Ajo tha se e njëjta trupë nuk kishte mbajtur qëndrim penalizues ndaj gjykatësit E.R., i cili kishte mbajtur cash në shtëpi shumën prej 18.500 euro të përfituar nga një shitje. BIRN kuptoi se bëhej fjalë për rastin e kreut të Gjykatës Administrative Eriol Roshi.

Në përgjigje të këtij pretendimi anëtarja e trupës Valbona Sanxhaktari replikoi me Panajotin, duke i thënë se dy rastet nuk ngjanin dhe i tha se nuk ishte korrekte në atë që kishte thënë. Sanxhaktari i tha subjektit se ajo mund ta përdorte këtë në rast se do i duhej të ankimonte vendimin, por i sugjeroi që në seancë dëgjimore të përgjigjej për ato çështje që i ishte kaluar barra e provës.

“Ju duhet të provonin të kundërtën e barrës së provës për ju”, tha Sanxhaktari.

Panajoti po ashtu përmendi si shembull konfirmimin nga KPK të gjyqtarit A.D (BIRN kuptoi se bëhej fjalë për Ardian Dvoranin), i cili tha ajo kryeson Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe që sipas saj kishte kaluar edhe pse kishte pasur mungesë deklarimi likujditetesh.

Në përgjigje të një pyetje nga Hamitaj, Panajoti shpjegoi se çmimi i vënë në një kontratë shitjeje për një pronë në Korçë ishte një çmim i reduktuar dhe se reduktimi i çmimit në kontratë nuk ishte bërë prej saj, por prej dajallarëve që kishin pjesën e tyre në pasuri. Panajoti tha se ajo nuk mund të imponohej në kontratën në fjalë.

Drejtuesja e trupës gjykuese i kërkoi Panajotit disa herë të fokusohej te çështjet për të cilat i ishte kaluar barra e provës, duke i vënë në dukje se një pjesë e fjalës së saj megjithëse do të konsiderohej nga KPK, nuk ishte mbi pikëpyetjet që ishin ngritur në relatim.

Profesionalizmi dhe DSIK

Në seancë mbeti pa përgjigje dyshimet e ngritura mbi profesionalizmin gjatë relatimit të Hamitaj. Ky i fundit vuri në dukje se, ndërsa nga 11 denoncime, 10 kishin rezultuar pa prova dhe probleme, një prej tyre ishte marrë në shqyrtim nga Komisioni.

Hamitaj tha se denoncuesi akuzonte gjyqtaren se nuk kishte marrë parasysh një testament dhe kishte bërë pjesëtim të padrejtë të pasurisë. Relatori vuri në dukje se megjithëse në një seancë në Gjykatën e Tiranës ishte pranuar depozitimi i testametit, në vendimin e marrë nga Panajoti dhe kolegët nuk bëhet me dije nëse ishte konsideruar testamenti dhe çfarë ishte bërë me të.

Hamitaj vuri po ashtu në dukje se Gjykata e Lartë në vendim për këtë çështje e kishte konstatuar si mangësi mosmarrjen në konsideratë të testamentit dhe e kishte cilësuar pjesëtimin e pasurisë si të padrejtë.

Në seancë nuk pati shpjegim rreth këtij momenti nga gjyqtarja. Hamitaj tha se ajo i kishte dhënë shpjegimet e saj trupës gjykuese. Ndërkohë, Panajoti rezultoi pa probleme sa i përket pastërtisë së figurës.

Në fund të seancës ajo kërkoi të konfirmohej në detyrë. Panajoti tha se kishte besim që trupa gjykuese do ta konfirmonte atë, për shkak të punës që ajo kishte bërë për 20 vjet. /BIRN

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.024664878845215
array(1) { ["section"]=> string(101) "gjyqtarja-e-tiranes-ne-siten-e-vettingut-kpk-ngre-pikepyetje-mbi-pasurine-dhe-profesionalizmin-169592" }