Goldstein: Futja në BE dhe integrimi në tregjet ndërkombëtare do arrihet përmes bashkëpunimit ndërmjet shteteve

Publikuar tek: ekonomi, më 16:47 14-10-2016 Goldstein: Futja në BE dhe integrimi në tregjet ndërkombëtare do arrihet përmes bashkëpunimit ndërmjet shteteve

Drejtoresha e Bankës Botërore për Europën Juglindore, Ellen Goldstein bëri të ditur se kanë nisur përgatitjen për një program rajonal për lehtësimin e tregtisë dhe transportit.

Goldstein mori pjesë në forumin e biznesit Shqipëri-Serbi, që u mbajt sot në Nish, Serbi, ku të pranishëm ishin Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai serb Aleksandar Vucic. Ajo theksoi se rruga drejt futjes në BE, integrimit në tregjet ndërkombëtare, zhvillimit më të madh dhe përmirësimit të vendeve të punës, do të arrihet më shumë përmes një fryme bashkëpunimi sesa një fryme konkurrence në Ballkanin Perëndimor.

Goldstein foli për zhvillimin ekonomik të vendeve të ballkanit ku rritja ekonomike shkon deri në 3 përqind dhe më shumë.

“Dyfishimi i vlerës së eksporteve drejt BE-së është nxitur pjesërisht nga rritja e sofistikimit të eksporteve në disa vende. Suksesi në zgjerimin e tregtisë ka qenë një faktor i rëndësishëm në rimëkëmbjen e zhvillimit në Ballkan kohët e fundit. Sot, të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë zhvillim pozitiv, ku rritja mesatare po shkon me shpejtësi deri në tre për qind në vit e më shumë. Kjo është gati dyfishi i asaj të Bashkimit Europian, ndonëse jo ende aq shpejt sa për të nxitur konvergjencën në brezin e ardhshëm”-tha Drejtoresha e Bankës Botërore për Europën Juglindore.

Ndërsa vuri theksin tek bashkëpunimi për përmirësimin e mjedisit për investime private dhe eleminimin e pengesave për të bërë tregti në tregjet rajonale, europiane dhe globale.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor po i tejkalon kufizimet e historisë së tij të kohëve të fundit, dhe po shkon drejt një epoke të rritjes së bashkëpunimit për arritjen e objektivave të përbashkët.  Dy kryeministrat nga Shqipëria dhe Serbia janë të vendosur që të ndërtojnë shoqëri të fuqishme dhe të begata, që mbështeten jo vetëm tek angazhimi i qëndrueshëm ndaj reformave ekonomike të brendshme, por dhe tek bashkëpunimi më i madh në Ballkanin Perëndimor për të shembur pengesat ndaj integrimit ekonomik, për të përmirësuar lidhjet dhe për të ecur drejt tregjeve rajonale dhe globale.

Qeveritë e Ballkanit Perëndimor po punojnë brenda kuadrit të Organizatës Botërorë të Tregtisë, dhe sigurisht, përmes procesit për futjes në BE, për të arritur një integrim ekonomik më të madh.

 Nismat rajonale, si, Marrëveshja për Tregti të Lirë në Europën Qendrore (CEFTA) dhe axhenda e lidhjeve në kuadër të Observatorit të Transportit të Evropës Juglindore (SEETO), janë rrugë të rëndësishme plotësuese për nxitjen e tregtisë në mallra dhe shërbime dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal”, -deklaroi Goldstein.

Përpjekjet e vendeve për të nxitur integrimin ekonomik rajonal u bashkërenduan korrikun e kaluar në samitin e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor në Élizé në Paris, ku gjashtë Kryeministra miratuan një Plan Veprimi të Përbashkët për Lehtësinë e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor. 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.1038179397583
array(1) { ["section"]=> string(116) "goldstein-futja-ne-be-dhe-integrimi-ne-tregjet-nderkombetare-do-arrihet-permes-bashkepunimit-ndermjet-shteteve-56195" }