Rreth 300 familje në Vlorë denoncojnë grabitjen e pronës së tyre në Ujë të Ftohtë. Sipas përfaqësuesve të këtyre familjeve bëhet fjalë për 50 mijë metër katrorë tokë, të cilat janë grabitur nga ‘’psedudo-pronarë’’ siç ata i quajnë, që kanë bashkëpunuar me ish-kryetarë të gjykatës dhe ish-prokurorë si dhe ndërtuesit e pallateve.
“Dosja e këtyre pseudopronarëve nuk ekziston absolutisht ne komisionin e kompensimit te pronave. Vendimi i Komisionit të Kthimit të Pronave është tërësisht i falsifikuar pasi në këtë zonë rezultojnë të tjerë pronarë:a)banorët të cilët jane kompensuar ne bazë të ligjit nr.7501, b)shoqëria aipa italiane (e cila ne vitin 1941-1942 ka firmosur dokumentet e shpronësimit të pronarëve të atëhershëm,nga të cilët ka blerë tokën,dokumente këto që ndodhen edhe ne hipoteken e rrethit Vlorë dhe ku nuk rezulton emri i pronarëve të tanishëm që kanë grabitur tokën), c)familjet Çili dhe Strati në tokën e të cilëve ndodhen edhe vilat e njohura Koleka dhe Koculi”, denoncojnë qytetarët.
Siç edhe bëjnë publike, denoncuesit thonë se I janë drejtuar 4 herë Prokurorisë së Vlorës, por çështja është pushuar ‘’si rezultat i implikimit në afera korruptive te vetë ish-kryetarëve të gjykatës dhe ish-prokurorëve”. “Këta janë joshur nga shpërblime në formën e dyqaneve dhe hyrje pallatesh. Banorët i kanë paditur këta zotërinj dhjetra herë por ky grup i strukturuar mafiozësh e mbyllin çështjen në bashkëpunim me pronarët e firmave të ndërtimit.”, theksojnë banorët.
Denoncuesit kërkojnë sekuestrimin e pallateve të ndërtuara, verifikimin e dokumenteve dhe reagimin e institucioneve shtetërore, pasi sipas tyre ka informacione se mbi pronën që pretendohet si e tyre do të realizohen të tjera ndërtime të paligjshme.
Dokumentet e pronësisë së disa prej pronarëve