Ministria e Jashtme greke ka deklaruar se menjëherë pas nisjes së gërmimeve në fshatin Dragot të Tepelenës janë zbuluar edhe eshtrat e para të një ushtari grek.
Por megjithëse verifikimi i përket ekspertëve, Ministria e Jashtme greke ka postuar fotografitë e eshtrave si dhe të një pllake metalike me numra identifikimi.
Ajo që bie në sy është se në pllakë është shkruar me gërma latine “GRECO”, që mund të nënkuptojë “grek” në gjuhën italiane, por nuk përjashtohet mundësia që eshtrat t’i përkasin një ushtari italian, pasi mbiemri “Greco” është tepër i përhapur në Itali.
Të tjera shenja identifikimi në medalion janë shkronjat “2095 P” dhe “CAP LE”, për gradën (Caporale - tetar).
Megjithatë, të gjitha këto shenja identifikimi do të kishin vlerë nëse ushtari grek do të ishte varrosur nga italianët. Dhe kjo sërish u takon ekspertëve për ta verifikuar dhe jo institucioneve politike.