Grenell takim me Thaçin: Fokusi mbi arritjen e marrëveshjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë

Publikuar tek: rajon, më 15:29 09-10-2019 Grenell takim me Thaçin: Fokusi mbi arritjen e marrëveshjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë

I dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, po qëndron në Prishtinë, ku fillimisht është pritur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas takimit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha se Grenell pret bashkëpunim me liderët vendorë, në lidhje me dialogun.

“I dërguari i posaçëm presidencial, Grenell pret me padurim që të punojë me presidentin Thaçi dhe liderët e tjerë të Kosovës, për të ndihmuar që të arrihet paqja, drejtësia dhe prosperiteti në Kosovë dhe rajon”, shkroi në Twitter, ambasadori Kosnett.

Përmes një komunikate, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se takimi me ambasadorin Grenell, ishte i fokusuar në arritjen e marrëveshjes së paqes në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, ka nënvizuar Thaçi, duke shtuar se “kjo shton besimin tonë në kërkimin e marrëveshjes së paqes me Serbinë”.

Në këtë takim u tha se marrëveshja e paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.

Ambasadori Richard Grenell, sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e presidentit Thaçi, ka thënë se shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje.

Ai ka theksuar se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve.

Ndërkaq, presidenti Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.

Më herët, ambasada amerikane në Prishtinë e ka cilësuar vizitën si tregues për mbështetjen që SHBA-ja i jep procesit të dialogut. Ndërkohë që analistët politikë në Prishtinë thonë se Shtetet e Bashkuara kanë rritur ndjeshëm interesimin për Ballkanin dhe arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo vizitë, vjen në kohën kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat pritet të sjellin ndryshime të mëdha në pushtet, ngaqë dy ish-partitë e bllokut opozitar kanë dalë fituese.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.025748014450073
array(1) { ["section"]=> string(98) "grenell-takim-me-thacin-fokusi-mbi-arritjen-e-marreveshjes-se-paqes-mes-kosoves-dhe-serbise-181390" }