Kampionët në fuqi të Bundesligës nuk e kanë nisur si duhet vitin futbollistik 2015 pasi në ndeshjen e parë zyrtare, dështuan me bujë.
Trajneri i Bayern Munchen, spanjolli Josep Guardiola ka pranuar se klubi i tij nuk mund t’i kontrollonte kundërsulmet e skuadrës rivale të Wolfsburg, pas humbjes 4-1 në ndeshjen e kampionatit gjerman të zhvilluar në transfertë.
”Ata shënuan një gol shumë herët dhe ne nuk mund t’i kontrollonim kundërsulmet e tyre në gjysmën e parë. Ne kishim në qarkullim më shumë topin por pavarësisht posedimit, ne nuk i kontrolluam dot kundërsulmet e tyre. Ne nuk duhet t’i lejonim aq hapësirë atyre” tha tekniku spanjoll.
”Urime për Wolfsburg, ata ishin më të mirë në momentet e duhura dhe shënuan golat. Ne duhet të analizojmë se çfarë ka ndodhur këtu dhe të ecim përpara. Pas një ndërprerje gjashtë-javore, tani ne kemi nevojë për një ndeshje praktike”, tha Guardiola.