Kristo Begzo, është kandidati për deputet i Nismës “Thurje” në qarkun e Gjirokastrës në garën e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në 25 prill 2021. Agronomi libohovit, ka kaluar goxha kohë në emigracion, fillimisht në Greqi dhe më pas në Francë.
Por thotë se me nismën “Thurje” është bashkuar nëpërmjet rrjeteve sociale. Begzo, kur pyetet sesi dhe me çfarë parash do të financojë fushatën elektorale, është i qetë, sepse thotë se nuk ka nevojë për para.
“Turi kombëtar që kemi bërë është financuar nga 260 persona të cilët kanë depozituar kush nga 10, 30 apo më shumë euro në numrin e llogarisë që kemi publikuar. Por nuk duhen para, më besoni. Duhet vullnet dhe dëshirë. Peshë të madhe në këto zgjedhje, edhe për shkak të pandemisë, do të zënë rrjetet sociale. Dikujt që i pëlqen “peshkimi” i mbulohen shpenzimet. Dikujt që i pëlqen “gjuetia” i mbulon vetë. Edhe ne, do i mbulojmë vetë”,thotë ai për argjirolajm, në një intervistë.