Halla më nxorri për prostitutë. Linda një vajzë që e dhashë për birësim… Historia rrëqetëse e 35 vjeçares në Durrës (DESHMIA)

Publikuar tek: aktualitet, më 09:21 15-01-2017

Admirina Topalli është 35 vjeç. Jeton në një barrake në Durrës e cila shumë shpejt do të prishet.

Nuk gjen asnjë zgjidhje tjetër përveçse të kërkojë ndihmën e medias dhe historinë e saj të mos ketë turp ta tregojë para të gjithëve. Për DurrësLajm, ajo flet dhe rrëfen tmerrin në jetë, kur halla, e mori nga Burreli dhe e solli te Stacioni i trenit në Durrës, për ta prostituuar. “Sot dola, vetëm këto kam gjetur, një copë hekur. Kjo as 100 lekë nuk bën, as për një panine. Jetoj duke dalë vërdallë, nëpër kazanë.

Aty ku njoh, lyp ndonjë lekë, ndonjë 500 leksh sa me hëngër ndonjë copë bukë, mos me vdek. Erdha këtu se më mori halla. “Hajde, - më tha, - se do ikim te tezja në qytet”. Dhe më mori e më nxorri këtej nga stacioni i trenit. Donte të më conte për prostitucion. Ajo iku dhe më la te një burrë. Atë e mbajta sa e mbajta për burrë. Edhe ai donte me më cu për prostitucion. Edhe unë e futa në burg. E denoncova atë se kam gocën me të. Po ai ka vdekur tani. Unë e denoncova, këta më morën e më cuan në qendër reabilitimi në Vlorë. Unë vetëm për bashkinë kam një kërkesë, të më gjejë ndonjë strehë apo ndonjë punë që të më përshtatet. Ose të punojë në rrugë, në komunale, natën.

Unë e bej se në punë kam qenë me pastru” thotë gruaja 35 vjeçare. Raportimi i DurrësLajm Përballë me kangjellat e terminalit të trageteve, në krah të rrugës së re të portit është ndërtuar një barake prej drurësh dhe copa eterniti, gjithsej dy metra katrorë. Brenda në barake gjendet një gjysmë shtrati, një mangallë qymyri, disa qirinj, dhe një qese plastmasi me disa tesha. Një pjatë, një lugë, një copë ushqim i prishur dhe disa copëra metalesh.

Kjo është gjithë pasuria që ka 35-vjeçarja Admirana Topalli. Admirana është 35 vjeçe, nënë e një 15-vjeçareje por fytyra e saj tregon si dy dekada më e vjetër. Në të ftohtin e acartë të këtij dimri, ajo kërkoi ndihmën e medias, pas lajmërimit se barakja e saj pritet të shembet si ndërtim pa leje. Fati është treguar më shumë se mizor me këtë grua. 35-vjeçares i është dashur të punojë, më pas të lypë, të prostituojë, për të mbajtur frymën gjallë.

E lindur në Suç të Burrelit, 20 vjet më parë të afërmit e saj e sollën në Durrës me qëllim trafikimin për prostitucion. Përfundoi me një burrë tutor që e nxirrte në rrugë dhe me të pati një vajzë që tani ka moshën 15 vjeçe. Kur mendoi se u martua, burri me të cilën e martuan e nxori në rrugë për të fituar para. Atë burrë e denoncoi në polici duke e përballur me drejtësinë dhe autoritet e dërguan në një qendër rehabilitimi në Vlorë. Më pas rikthehet sërish në Durrës ndërsa vajzën ia dha një çifti nga Elbasani për birësim, pasi e vetme nuk mund ta rriste. Ka fjetur poshtë urave në rrugë, për të ngrënë, ka lypur dhe ka prostituuar.

Në të tilla kushte lyp, kur nuk gjen asgjë në kazanët e plehrave, por edhe lypja nuk i siguron gjithmonë bukë. Deri para pak kohësh ka punuar në pastrimin e qytetit, por prej kësaj ndërmarrjeje e hoqën nga puna, pasi kërkohej transferimi i saj në Durrës me dokumentacion. Në Durrës për të përfituar ndihmë ekonomike i duhet transferimi nga Burreli në Durrës dhe i kërkohen 50 mijë lekë të vjetër të cilat nuk i ka. Sa herë që në baraken e saj ndjen ftohtë, shpresën ndezur e mban një fotografi e vogëlushes së saj. Ajo nuk do të lypë, por të fitojë bukën e gojës me djersë.

Do që sërish të ketë një punë, që për të do të thotë dinjitet, për të mos i shtrirë dorën askujt. “Të më gjejnë një punë në pastrimin e qytetit, aty ku kam qenë, nuk kam asnjë kërkesë tjetër, sepse po të jem në punë, do të kem një shtëpi, dhe nuk do të lyp, por do të jetoj pa ia shtrirë dorën njeriu”. Gruaja e cila është përballur me të gjitha frikërat e jetës, nuk kërkon as ndriçim, as ujë, as tualet, as tesha, as sobë, as shtëpi. Asgjë prej këtyre nuk e ka në baraken e saj. 35-vjeçarja kërkon vetëm një punë. (DURRESLAJM)

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Amnistia e liroi nga burgu, flet vajza që vrau djalin e mitur të ish-zëvëndës ministrit
Parashikimi i motit për ditën e sotme, ulen sërish temperaturat »
Article Logic
Execution time: 0.010863065719604
array(1) { ["section"]=> string(127) "halla-me-nxorri-per-prostitute-linda-nje-vajze-qe-e-dhashe-per-biresim-historia-rreqetese-e-35-vjecares-ne-durres-deshmia-65552" }