Arkeologët në Egjipt kanë hapur një sarkofag 2 mijë vjeçar të zbuluar disa ditë më parë poshtë një banese në Aleksandri.
Sarkofagu tërhoqi vëmendje për shkak të përmasave, rreth 2.7 metra i gjatë dhe 2 metra i lartë, si dhe ngjyrës së zezë të gurit të granitit.
Por për çudinë e të gjithëve, në vend të një trupi të vetëm, në arkivolin antik janë gjetur skeletet e dekompozuara të tre personave.
Në sarkofak kishte hyrë uji nga kanalizimet e qytetit, duke shkaktuar përmbytjen dhe dekompozimin e mumjeve.
Sipas egjiptologëve, tre kafkat janë të seksit mashkull, njëra e dëmtuar me diçka të mprehtë ndërsa një tjetër nga një shigjetë. Kjo i ka bërë të mendojnë se nuk bëhet fjalë për ndonjë person të shtresës së lartë në Egjiptin e lashtë. Skeletet besohet t’i përkasin tre ushtarëve.
“Sarkofagu u hap, por nuk na goditi asnjë mallkim”, tha një prej arkeologëve duke ironizuar ata që në rrjete sociale bënë thirrje të mos hapej varri antik.