Zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Gentjana Sula njofton që sot është zhvilluar një tryezë konsultuese për gjetjen e personave të zhdukur gjatë periudhës së diktaturës nga ku lajmëron se do të hapet sektori i veçantë për të zhdukurit.
Sektori për gjetjen e të zhdukurve është projektuar të jetë porta pritëse e të gjitha kërkesave dhe informacioneve mbi proçesin e gjetjes së personave të zhdukur gjatë periudhës së diktaturës.
“Hapja e zyrës për Personat e Zhdukur pranë Institutit të Integrimit të ish të të Përndjekurve Politikë është një hap mjaft i rëndësishëm i kësaj qeverie, jo vetëm administrativ, por edhe morale, për të ndihmuar dhe lehtësuar kalvarin shumë vjeçar të familjarëve të të zhdukurve. Hapja e zyrës ka për qëllim që të fillojë një kapitull të ri në trajtimin e kësaj çështje kaq të ndjeshme, e cila gjer më sot është trajtuar në mënyrë sporadike dhe në mungesë të një qasje të koordinuar institucionale”, tha zv. Ministrja Sula.
Gjithashtu Sula bëri të ditur se hapja e kësaj zyre do të ketë për qëllim të krijojë një databazë fillestare mbi këta persona të zhdukur, me të dhënat e tyre minimale si, emri, mbiemri, gjinia, vendi dhe data e lindjes, vendi dhe data ose viti i supozuar i zhdukjes dhe rrethanat e zhdukjes, si dhe të mbledhë informacione, të ndjekë dhe monitorojë proçesin e kërkimit dhe zhvarrosjes së personave të zhdukur, duke bashkëpunuar dhe koordinimin me institucionet e tjera përgjegjëse.
Këtë nismë e ka marrë Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim me Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë të cilët kanë zhvilluar një tryezë konsultuese me autoritetet e angazhuara si: përfaqësuesi i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur, Matthew Holliday, drejtori i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola dhe përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve dhe intelektualë.
Mathew Holliday do të sjellë përvojën e tij në gjetjen e personave të zhdukur duke përmendur 32 mijë personat e humbur në Bosnje ku 70% e tyre janë gjetur dhe identifikuar. “Kemi një sistem tepër të sofistikuar për indentifikimin nëpërmjet ADN-së. Ofrojmë asistencë teknike në mjekësinë ligjore dhe në antropologji”, tha z. Holliday.