Haradinaj letër qytetarëve: Taksa mbetet, ushtria shkon para, mandati im i shkon popullit

Publikuar tek: rajon, më 18:11 19-07-2019 Haradinaj letër qytetarëve: Taksa mbetet, ushtria shkon para, mandati im i shkon popullit Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj i drejtohet shqiptarëve të Kosovës me një letër të hapur pas dorëheqjes së parevokueshme të dhënë ditën e sotme pas thirrjes për të dëshmuar në Gjykatën e Hagës.

Haradinaj liston arsyet e dorëheqjes, dhe thotë se në Hagë do të përballet me shpifësit “ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar”.

“Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë”, shkruan Haradinaj duke kujtuar se kjo është hera e dytë e ftesës nga Haga dhe e dorëheqjes nga posti i kryeministrit të Kosovës.

Herën e parë Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 Mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës. Në 29 nëntor 2012 u shpall i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës.

“Më në fund, pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellur drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës”, tha në atë kohë  Ben Emmerson në emër të ekipit mbrojtës.

Haradinaj siguron popullin për disa prej çështjeve më delikate politike dhe ekonomike gjatë qeverisjes së tij: “Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime”.

LETRA E PLOTË:

Të nderuar qytetarë,

Dua të ju informoj se sot kam marrë këtë vendim:

Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falemnderoj për besim dhe përkrahje. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar.

Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci.

Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar.

Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.

Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufijë.

Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit.

Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes.

Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi Kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet.

Kosova euro-atlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë. Kurrë nuk është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje, e jo ndarja apo Republika e Dodikut.

Më lejoni të ju siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime.

Pas kësaj dorëheqjeje MANDATIN IA KTHEJ POPULLIT. Sovrani të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike.

I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Menjëherë do t’i drejtohem me shkresa zyrtare për dorëheqjen e parevokueshme institucioneve të vendit dhe udhëheqësve të koalicionit qeverisës.

Do t’i shërbej me besnikëri, gjithë jetën, POPULLIT, ATDHEUT DHE SHTETIT TIM KOSOVËS! Faleminderit.

I juaji,

Ramush Haradinaj

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.85373997688293
array(1) { ["section"]=> string(93) "haradinaj-leter-qytetareve-taksa-mbetet-ushtria-shkon-para-mandati-im-i-shkon-popullit-172702" }