“Ai erdhi në lokal dhe doli në verandë. Porositi një ujë natyral. Unë nuk u vonova dhe ia dërgova, pasi në atë orë në lokal kishte shumë pak njerëz. Ndërsa në verandë asnjë, pasi fryente edhe pak erë.Në momentin që i servira ujin , ai e mori shishen në dorë dhe nisi ta shtrëngonte me të gjithë forcën që kishte. Por unë ia lashë në tavolinë dhe u largova pasi nuk mund ta mendejoa çfarë do të ndodhte. Shkova pas pak çastesh dhe nuk e pashë aty. Dyshova se mund të ishte vetëhedhur dhe pashë menjëherë nga ana e pasmë e verandës. Aty pashë se çfarë kishte ndodhur dhe lajmërova menjëherë policinë. E kishin lajmëruar edhe banorët e tjerë pasi në momentin e rënies ishte dëgjuar një zhurmë shumë e fortë”.
Kjo ka qenë dëshmia e kamarierit të lokalit, ku 27 vjeçari Sajmir Leka i dha fund jetës duke u vetëhedhur nga kati i 12-të. Burime për gazetën “Panorama” bëjnë me dije se 27 vjeçari, i cili kishte përfunduar studimet për Gazetari prej kohësh punonte nëpër loto sporti në qytet. Dyshohet se së fundmi i riu kishte kaluar në gjendje depresioni, pasi kishte lënë një shumë prej rreth 1 milionë lekësh të rinj në loto.
Ky është rasti i tretë që në të njëjtin pallat shënohen viktima.